Last Updated on 02/09/2026 by Klara
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është shprehur gjatë një vizite të rrallë në Rripin e Gazës, se vendi i tij nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zonat që kontrollon në enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta.
“Ne e kontrollojmë zonën. Ne nuk do të tërhiqemi. Ne mbetemi në këtë vijë. Ne kontrollojmë 60 përqind të Rripit të Gazës dhe nuk do të ndalemi sepse po eliminojmë, ditë pas dite, terroristët që na kërcënojnë”, tha Netanyahu pas takimit me ushtarët pranë “vijës së verdhë”, e cila përcakton zonën që mbetet nën kontrollin ushtarak izraelit.
Kryeministri izraelit tha se i kishte urdhëruar ushtrisë të zgjeronte kontrollin e saj në 70% të enklavës, më shumë sesa lejohet të mbajë sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në tetor 2025. Ai gjithashtu këmbëngul se ushtarët do të qëndrojnë në vend derisa të verifikohet çarmatimi i plotë i Hamasit.
“Por ne po bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të arritur qëllimin tonë – të çarmatosim Hamasin dhe të çmilitarizojmë Gazën dhe (enklava) të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, vazhdoi ai, duke vlerësuar se në një masë të madhe “ky qëllim në fakt është arritur tashmë”.
Netanyahu u informua mbi operacionet e ushtrisë izraelite në rajon dhe përpjekjet që po bëhen për të eliminuar kërcënimet dhe për të garantuar sigurinë e ushtarëve dhe komuniteteve izraelite, tha zyra e kryeministrit në një deklaratë./k.m
