Afati kalimtar i verës në La Liga për sezonin 2026/27 mbyll siparin me shifra mbresëlënëse në hyrje-dalje, por edhe me një disbalancë të dukshme financiare për emrat më të mëdhenj të kampionatit.
Klubet e elitës spanjolle investuan gjithsej 745.28 milionë euro për përforcimin e organikave të tyre, ndërsa arkëtuan nga shitjet e lojtarëve 512.24 milionë euro, duke e çuar deficitin e përgjithshëm të kampionatit në mbi 233 milionë euro.
Peshën kryesore të investimeve e mbajnë tri fuqitë e mëdha: Real Madrid, FC Barcelona dhe Atlético de Madrid. Së bashku, këto tri ekipe realizuan më shumë se dy të tretat e të gjitha shpenzimeve të ligës. Real Madrid kryeson bindshëm listën e blerjeve me 225 milionë euro, i ndjekur nga Barcelona me 174 milionë euro dhe Atlético de Madrid me 123 milionë euro.
Në krahun e arkëtimeve, Barcelona prin renditjen me 104.09 milionë euro të gjeneruara nga largimet, duke qenë i vetmi klub që ka kaluar kufirin e 100 milionëve në shitje. Atlético de Madrid renditet i dyti me 59 milionë euro, ndërsa Real Madrid zë vendin e tretë me 58.50 milionë euro.
Diferenca mes hyrjeve dhe daljeve i ka lënë të tre titullarët e kampionatit me bilanc të kuq financiar. Deficitin më të thellë e regjistron Real Madridi me -166.50 milionë euro, ndërsa Barcelona dhe Atlético mbyllin merkaton përkatësisht me -69.91 milionë euro dhe -64.00 milionë euro./k.m
