Zjarri që ka përfshirë zonën e Ulzës në bashkinë Mat po përparon me shpejtësi, i favorizuar nga era e fortë që po përhap flakët në disa drejtime.
Vatra e zjarrit ka hyrë tashmë në luginën e Shkopetit, në fshatin Madhesh, ndërsa flakët po avancojnë në drejtim të Skurajve. Situata paraqitet e vështirë, pasi ndërhyrja nga toka e ka të pamundur për momentin vënien nën kontroll të zjarrit. Flakët janë përhapur në disa drejtime dhe kanë djegur stane dhe banesa në zonë.
Dyshohet gjithashtu se nga zjarri mund të jenë prekur edhe kafshë, ndërsa dëmet e shkaktuara vijojnë të evidentohen.
Në terren janë angazhuar dhjetëra forca të administratës së Bashkisë Mat, Forcave të Armatosura, si dhe banorë të zonës, të cilët po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, situata mbetet kritike, ndërsa ndërhyrja nga ajri shihet si e nevojshme për të frenuar avancimin e zjarrit./k.m
