Zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale po sjell pasoja të paparashikuara për konsumatorët. Rritja e kërkesës për çipa dhe komponentë të avancuar, të nevojshëm për qendrat e të dhënave që mbështesin sistemet e IA-së, është duke ushtruar presion mbi çmimet e smartfonëve, laptopëve, kompjuterëve dhe konsolave të lojërave.
Nëse planifikoni të blini një pajisje të re teknologjike gjatë këtij viti, duhet të përgatiteni për çmime më të larta dhe, në disa raste, për më pak alternativa në treg, thonë ekspertët. Arsyeja është kërkesa në rritje për gjysmëpërçues, pasi kompanitë po orientojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të kapaciteteve të prodhimit drejt industrisë së AI. Qendrat e të dhënave që trajnojnë dhe funksionojnë me modele të saj, kërkojnë sasi të mëdha procesorësh me performancë të lartë dhe module të avancuara memorieje.
Kjo po e vështirëson furnizimin e prodhuesve të pajisjeve elektronike për konsumatorët me disa prej komponentëve më të kërkuar. Pasojat e kësaj situate po ndihen veçanërisht te produktet që kërkojnë kapacitete të larta përpunimi dhe memorie, përfshirë smartfonët, notebookët, kompjuterët dhe video lojërat. Apple është një prej kompanive që ka paralajmëruar rritje të çmimeve, duke e lidhur këtë me kostot më të larta të komponentëve. Edhe kompani të tjera të mëdha, përfshirë HP, Dell dhe Nintendo, kanë rritur çmimet e disa produkteve të tyre.
Në Gjermani, shoqata e industrisë digjitale Bitkom vlerëson se çmimi mesatar i një smartfoni gjatë këtij viti mund të arrijë rreth 646 euro./ad
