Pothuajse të gjithë e kemi përjetuar këtë ndjesi: kur ishim fëmijë, vera dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Ditët kalonin ngadalë, pushimet dukeshin të pafundme dhe kthimi në shkollë dukej tepër larg.
Sot, në moshë të rritur, ndodh e kundërta. Vera duket sikur kalon sa hap e mbyll sytë. Sapo fillon, papritur vjen gushti dhe bashkë me të edhe ndjesia se koha ka ikur shumë shpejt.
Por a është kjo thjesht nostalgji?
Sipas studiuesve të perceptimit të kohës, truri ynë e përjeton dhe e kujton kohën ndryshe ndërsa rritemi. Një nga faktorët kryesorë është numri i përvojave të reja që ruhen në kujtesë.
Kur ishim fëmijë, pothuajse gjithçka ishte e re. Në fëmijëri, jeta është e mbushur me përvoja që ndodhin për herë të parë.
Udhëtimi i parë në det, një shëtitje e re, një kamp veror, një lojë e panjohur, një miqësi e re apo edhe një vend që e vizitonim për herë të parë. Këto përvoja të reja kanë më shumë gjasa të fiksohen në kujtesë dhe të bëhen momente të dallueshme.
Studiuesi i perceptimit të kohës, Dr. Marc Wittmann, shpjegon se në fëmijëri pothuajse çdo vit sjell ndryshime të mëdha fizike dhe mendore. Për një fëmijë, çdo vit është në njëfarë mënyre një vit krejt i ri. Kjo bën që një verë e vetme të duket e mbushur me shumë më tepër ngjarje dhe kujtime. Truri i fëmijës po ndryshon vazhdimisht.
Ka edhe një faktor tjetër.
Në fëmijëri dhe adoleshencë, truri është ende në zhvillim. Përveçse përballet me përvoja të reja, ai po ndryshon vetë. Çdo vit sjell ndryshime në mënyrën se si fëmija mendon, ndien, mëson dhe e percepton botën.
Për këtë arsye, një verë e kaluar në moshën 8-vjeçare mund të ketë një “peshë” shumë më të madhe në kujtesë sesa një periudhë e ngjashme në moshën 40-vjeçare.
Po pse koha duket se përshpejtohet kur rritemi? Një nga shpjegimet më të përhapura thotë se gjithçka lidhet me proporcionin e jetës sonë. Për një fëmijë 5-vjeçar, një vit përfaqëson një të pestën e gjithë jetës së tij. Për një person 50-vjeçar, një vit është vetëm një e pesëdhjeta e jetës.
Në pamje të parë, kjo duket bindëse. Por Wittmann paralajmëron se nuk ka prova që truri e llogarit kohën në këtë mënyrë matematikore. Pra, nuk është thjesht një çështje përqindjesh.
Shpjegimi duket të jetë më kompleks. Kur bota bëhet e parashikueshme, koha duket më e shpejtë
Me kalimin e viteve, shumë nga përvojat tona bëhen të përsëritshme. Ne kemi parë shumë vera. E dimë si është një pushim, si duket një fundjavë dhe çfarë ndodh zakonisht gjatë një dite pune. Kjo do të thotë se truri ka më pak arsye për t’i regjistruar këto momente si diçka krejtësisht të re.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga çelësat e misterit. Koha nuk zhduket më shpejt. Ne thjesht kemi më pak kujtime të dallueshme për të mbushur atë periudhë kur e shohim në retrospektivë.
Një muaj i mbushur me ngjarje të reja mund të duket shumë i gjatë kur e kujton. Një muaj me të njëjtën rutinë çdo ditë mund të duket sikur ka kaluar menjëherë.
Çfarë ndodh me kujtesën në moshë më të madhe?
Kërkimet më të reja të Wittmann dhe kolegëve të tij sjellin një tjetër element interesant. Në një studim me të rritur nga të 20-at deri në të 90-at, studiuesit zbuluan se të moshuarit nuk i përshkruanin domosdoshmërisht kujtimet e tyre si më të zbehta apo më pak të gjalla.
Në disa raste, kujtimet që ata ruanin ishin edhe më të pasura emocionalisht. Ajo që dukej se zvogëlohej ishte aftësia për të regjistruar në kujtesë momentet e zakonshme dhe të parëndësishme të jetës së përditshme.
Sipas Wittmann, ky ndryshim mund të nisë që në të 30-at dhe bëhet më i dukshëm me kalimin e moshës. Kjo mund të lidhet me ndjesinë se dekadat e fundit të jetës kanë kaluar më shpejt.
Atëherë, a mund ta bëjmë verën të duket më e gjatë? Ndoshta po. Jo duke ndryshuar orën, por duke ndryshuar mënyrën se si e përjetojmë jetën.
Ekspertët sugjerojnë të kërkojmë përvoja të reja, vende të reja dhe njerëz të rinj. Edhe ndryshime të vogla në rutinën e përditshme mund të krijojnë kujtime më të dallueshme.
Mund të ndihmojë gjithashtu:
• të mësojmë diçka të re;
• të udhëtojmë ose të vizitojmë vende të panjohura;
• të jemi fizikisht aktivë;
• të ruajmë marrëdhëniet shoqërore;
• të sfidojmë mendjen me aktivitete të reja;
• të lejojmë më shumë hapësirë për spontanitet.
Por ka një paradoks. Nëse përpiqemi ta mbushim çdo ditë me sa më shumë aktivitete, mund të arrijmë rezultatin e kundërt. Një kalendar i mbushur nga mëngjesi deri në darkë mund të na bëjë të ndihemi sikur dita ka kaluar edhe më shpejt.
Mos planifikoni çdo minutë
Wittmann sugjeron që ndonjëherë duhet thjesht të jetojmë momentin, pa e planifikuar çdo minutë.
Për shembull, një mëngjes fundjave mund të nisë pa një listë të gjatë detyrash. Mund të ndalemi dhe të vërejmë se si ndihemi, çfarë duam të bëjmë dhe të jemi të hapur ndaj asaj që mund të ndodhë.
Kjo lloj vëmendjeje ndaj momentit mund të ndihmojë që përvoja të regjistrohet më fort në kujtesë. Emocionet janë “ngjitësi” i kujtesës.
Një nga përfundimet më interesante të studiuesit është roli i emocioneve. Ngjarjet që na prekin emocionalisht kanë më shumë gjasa të mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë.
Prandaj, ndoshta nuk është rastësi që disa vera të fëmijërisë na duken ende të gjata dhe të gjalla, edhe dekada më vonë. Nuk është vetëm numri i ditëve. Është sa shumë kemi përjetuar, sa shumë gjëra të reja kemi parë dhe sa fort i kemi ndier ato momente.
Vera e fëmijërisë nuk do të kthehet, por…
Ndoshta vera nuk ishte realisht më e gjatë kur ishim fëmijë. Ishte kujtesa jonë që e bënte të dukej më e madhe.
Kur ishim të vegjël, bota ishte ende plot surpriza. Çdo verë sillte përvoja të reja dhe truri kishte shumë materiale për të ruajtur.
Me kalimin e viteve, rutina merr më shumë hapësirë dhe e panjohura zvogëlohet. Për këtë arsye, kur shohim pas, muajt dhe vitet mund të duken sikur janë zhdukur shumë shpejt.
Por lajmi i mirë është se kemi ende njëfarë kontrolli. Nëse duam që koha të duket më e pasur, duhet të krijojmë më shumë momente që ia vlen të kujtohen.
Sepse, në fund, nuk mund ta ngadalësojmë orën. Por mund ta bëjmë jetën më të paharrueshme./k.m
