Dylan Sprouse ka folur hapur për vitet e para të karrierës, kur nisi të punonte si aktor që në fëmijëri. Ish-ylli i Disney-t e ka krahasuar atë periudhë me “punën e fëmijëve”, duke thënë se, pavarësisht se bëhej fjalë për aktrim, rutina ishte e njëjtë me një punë të zakonshme.
Gjatë një interviste në podcast-in “Wildmen”, ish-ylli i Disney-t tha se, pavarësisht se puna e tij zhvillohej në skenë dhe përpara kamerave, në thelb ajo funksiononte njësoj si çdo punë tjetër.
“Është punë për fëmijë. Kur punon në atë moshë, është njësoj. Ne thjesht këndonim dhe kërcenim, por sërish është punë”, u shpreh Sprouse.
Dylan dhe vëllai i tij binjak, Cole Sprouse, nisën karrierën në ekran kur ishin vetëm rreth 8 muajsh. Të dy u shfaqën në serialin “Grace Under Fire”, ku qëndruan për pesë sezone, ndërsa më vonë, në moshën 12-vjeçare, Dylan fitoi një nga rolet që do ta bënte të famshëm në “The Suite Life of Zack & Cody”.
Duke reflektuar për ndikimin që kjo fëmijëri e kaluar para kamerave ka pasur tek ai, aktori pranoi se edhe sot mund të ndiejë pasojat e nisjes së karrierës shumë herët.
“Kur bëhet fjalë për disa vështirësi mendore si aktor i rritur, duke qenë se jam ende në të njëjtën industri ku kam qenë gjithmonë, sillem si fëmijë gjithsesi. Ndaj pyes veten nëse thjesht po e ndjek gjithmonë atë version të vetes”, tha ai.
Edhe Cole Sprouse ka folur më herët për fëmijërinë e tyre dhe arsyen pse u përfshinë në industrinë e argëtimit. Ai ka treguar se në rastin e tyre, aktrimi nuk ishte fillimisht një zgjedhje e tyre, por një mënyrë për të ndihmuar familjen financiarisht.
“Gjithçka nisi si një mënyrë për të siguruar bukën e përditshme”, kishte deklaruar Cole në një podcast në vitin 2023.
Sot, dy vëllezërit vazhdojnë të jenë aktivë në industrinë e filmit dhe televizionit, pasi kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre nën vëmendjen e publikut./MXH
