Më 16 tetor 1943, ndërsa trupat naziste nisën bastisjen e getos hebraike në Romë, në spitalin Fatebenefratelli ndodhi një histori e jashtëzakonshme. Dy mjekë shpikën një sëmundje që nuk ekzistonte, “Morbo di K”, për t’i mbrojtur hebrenjtë që ishin fshehur brenda spitalit.
Ishte mëngjesi i hershëm i 16 tetorit 1943, dita e Shabatit, kur trupat gjermane hynë në geton hebraike të Romës për të arrestuar banorët hebrenj. Italia ndodhej në periudhën e pushtimit nazist, pas armëpushimit të 8 shtatorit, dhe përndjekja ndaj hebrenjve ishte intensifikuar.
Nazistët kishin në duar listat me emrat e hebrenjve, të siguruara nga autoritetet e qeverisë së Mussolinit. Gjatë bastisjes u arrestuan 1 024 persona, mes tyre rreth 200 fëmijë, të cilët më pas u deportuan në kampin e Auschwitz-it.
Vetëm 16 prej tyre mbijetuan.
Në ato orë të tmerrshme, shumë njerëz kërkuan strehim në spitalin Fatebenefratelli, në ishullin Tiberina. Aty, dy mjekë vendosën të ndërmerrnin një nga mashtrimet më të guximshme të kohës: shpikën një sëmundje të rrezikshme dhe ngjitëse, të quajtur “Morbo di K”, ose “Sëmundja K”.
Si lindi “Sëmundja K”?
Ideja erdhi nga mjeku dhe drejtori i spitalit, Giovanni Borromeo dhe nga mjeku i ri Adriano Ossicini, i cili më vonë do të bëhej një figurë e njohur e politikës italiane dhe e Rezistencës antifashiste.
Emri “K” nuk ishte zgjedhur rastësisht. Ai lidhej me dy figura të rëndësishme naziste: Albert Kesselring, komandant gjerman në Itali, dhe Herbert Kappler, drejtuesi i Gestapos në Romë, i cili kishte udhëhequr edhe bastisjen e getos.
Borromeo dhe Ossicini përgatitën kartela mjekësore të rreme, ku shënonin diagnozën “Morbo di K”. Sëmundja paraqitej si jashtëzakonisht ngjitëse dhe e rrezikshme.
Kur hebrenjtë që arratiseshin mbërrinin në spital, ata regjistroheshin si pacientë të prekur nga kjo sëmundje dhe vendoseshin në një pavijon të veçantë.
Mashtrimi funksionoi.
Nazistët kishin frikë të hynin në pavijon
Gjatë një kontrolli të spitalit, ushtarët gjermanë nisën të kontrollonin pacientët një nga një. Borromeo, i cili fliste shumë mirë gjermanisht, u shpjegoi se në një nga pavijonet ndodheshin pacientë me një sëmundje tepër ngjitëse.
Ai e përshkroi sëmundjen sikur të ishte një çrregullim i rëndë neurologjik: pacientët mund të pësonin konvulsione, më pas çmenduri, paralizë të gjymtyrëve dhe, në fazat e fundit, vdekje nga asfiksia.
Asnjë ushtar nazist nuk guxoi të hynte në atë pavijon.
Në mendjen e tyre, shkronja “K” mund të lidhej me sëmundjen e Koch-ut, pra tuberkulozin. Frika nga infektimi bëri pjesën tjetër.
Mjekët u kërkonin pacientëve të kolliteshin dhe të silleshin sikur ishin rëndë të sëmurë, në mënyrë që gjermanët të mos dyshonin.
Mjeku hebre Vittorio Sacerdoti, i cili ndodhej në spital në atë kohë, e përshkroi vite më vonë atmosferën e asaj dite. Sipas dëshmisë së tij, pacientëve u thuhej të kolliteshin vazhdimisht, sepse nazistët kishin frikë se mos infektoheshin dhe nuk donin të hynin në pavijon.
Sa njerëz u shpëtuan?
Numri i saktë nuk dihet.
Dëshmitë historike flasin për të paktën 45 persona që u shpëtuan falë këtij mashtrimi, edhe pse numri mund të ketë qenë më i madh.
Në vitin 2004, Yad Vashem, institucioni kombëtar i Izraelit për përkujtimin e Holokaustit, e njohu Giovanni Borromeon si “I Drejtë mes Kombeve”, për ndihmën që u kishte dhënë hebrenjve gjatë përndjekjeve naziste.
Në vitin 2016, spitali Fatebenefratelli u nderua me titullin “Shtëpi e Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar Raoul Wallenberg, në vlerësim të rolit të tij në shpëtimin e njerëzve gjatë Holokaustit.
Një nga detajet më të jashtëzakonshme të kësaj historie është se edhe disa pjesëtarë të stafit të spitalit nuk e dinin se “Sëmundja K” nuk ekzistonte. Ata besonin se bëhej fjalë për një sëmundje të vërtetë dhe shumë të rrezikshme. Kjo e bëri skenarin edhe më bindës.
Në një kohë kur nazistët kishin ngritur një sistem të tërë për identifikimin dhe deportimin e hebrenjve, dy mjekë përdorën dijen, guximin dhe një sëmundje të sajuar për të krijuar një strehë të fshehtë brenda një spitali./ad
