Alba Malltezi
Lumturia e Sali Berishës me marrjen e vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte gati prekëse, fëminore, naive. Të sillte në mendje lumturinë e gjithë prindërve tanë të moshuar kur fëmijët arrijnë të bëjnë një gjë të mirë për ta: një vizitë mjekësore që i komforton, një drekë të gjithë bashkë pas shumë kohësh mungesë, apo si shtrëngimi i dorës së një nipi që e quan: ti je shkopi im i pleqërisë… por vetëm kaq. Vetëm kaq zgjat kjo “lumturi”
Shumë pak, pasi kanë nisur të qarkullojnë tani nëpër social media pamjet e një ngjarjeje që ne e harrojmë nga densiteti i ngjarjeve të ditës me Spak apo biznesmenë-kaubojsë; bëhet fjalë për 14 shtatorin 1998. I pasuar nga Gërdeci dhe nga 21 janari, 14 shtatori i 1998 duket si një rrëfim pa viktima, por është interesante të shihet çdo “frame” i atyre filmimeve dhe fotografive, për të kuptuar dhunën ekstreme që Sali Berisha politikan ka gatuar dhe ofruar përherë për popullin shqiptar. Dhe që këtu pyetja: Nga çfarë përbërje njerëzore është gatuar një njeri i tillë? Nga ç’përbërje njerëzore është rrethuar përherë një politikan i tillë që nuk u lodh asnjëherë së gatuari skenarë dhune dhe mungese qetësie për popullin sa herë ishte në pushtet a opozitë?
Edhe gëzimi për marrjen e vizës për në Shtetet e Bashkuara, nga njerëzit e tij politikë dhe nga ata që e ndjekin verbërisht, u përjetua po aq dhunshëm, kërcënueshëm, siç jemi mësuar ta shikojmë: “Ta shihni ju tani! U erdhi fundi atyre që nuk e besonin se do të ndodhte etj. Etj. “. Njerëz të mbërthyer nga dhuna duket se nuk e lëshojnë atë as në një ditë gëzim. Rrugë të mbarë Sali Berishës në Amerikë, dhe rrugë të mbarë edhe kujt po heton për dhunën, përvetësimin e pasurive, pagesat për lobimin e këtij udhëtimi në ShBA.
