Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një deklaratë për mediat këtë të shtunë, tha se, sa i përket pagave të magjistratëve, ka një vakum ligjor, por se do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Ky boshllëk ligjor do të plotësohet dhe detyra ime është që të plotësohet në përputhje me përgjegjshmërinë dhe me buxhetin e shtetit. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo përplasja mes institucioneve”, u shpreh Gogu.
I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nëse ka një koment mbi udhëzimin e publikuar nga GJKKO-ja, ku thuhet shprehimisht se mosveprimi i Kuvendit brenda 31 korrikut 2026 nuk mund të prodhojë efekt pezullues mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Gogu iu përgjigj duke thënë se “nëse vendimi i GJK-së, pas skadimit të afatit ligjor, do të kishte caktuar formulën ligjore, ministri do ta kishte zbatuar pa ekuivok”.
Por çfarë do të ndodhë me gjyqtarët, prokurorët dhe administratën derisa të bëhet ndërhyrja në Kuvend?
“Pagat kanë nevojë për autorizim ligjor dhe formulë ligjore. Këto kanë qenë përpjekjet e qeverisë, që të mos vonojë asnjë ditë paga”, u shpreh ministri i Drejtësisë./ad
