Last Updated on 05/09/2026 by Klara
Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, ku gjatë ditës janë raportuar 21 vatra, 11 prej të cilave vijojnë aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 5 janë shuar.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 587 forca operacionale vendore, 52 automjete zjarrfikëse, 550 efektivë dhe 7 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Operacionet janë mbështetur nga 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Situata vijon të jetë aktive në disa zona, ndërsa problematika është raportuar në Fier, Shkodër, Mat dhe Dajt. Në Himarë, në lagjen “1 Maji”, zjarri është shuar pas një operacioni të gjerë, por flakët kanë shkaktuar dëme në 6 banesa, 3 prej të cilave të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./k.m
