Eric Trump ka prezantuar publikisht pasaportën e tij të re përkujtimore, të krijuar në kuadër të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila përmban një portret të madh të babait të tij, presidentit Donald Trump.
Në një video të publikuar në rrjetin social X më 2 shtator, 42-vjeçari Eric Trump u tregoi ndjekësve dokumentin e ri, duke shprehur entuziazmin për dizajnin e tij.
“Shikoni çfarë sapo më erdhi me postë. Një pasaportë e re”, tha ai, përpara se ta hapte dokumentin dhe të tregonte faqet e brendshme.
Në pjesën përkujtimore të pasaportës është vendosur një ilustrim i Donald Trump, ku presidenti shfaqet i përkulur përpara, me të dyja duart të mbështetura mbi një tavolinë. Mbi imazh është vendosur firma e tij, ndërsa poshtë shkruhet “United States of America”. Portreti është bazuar në fotografinë e Trump të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve të Smithsonian në Uashington.
“Më pëlqen jashtëzakonisht shumë, e dhuroj”, u shpreh Eric Trump, djali i Donald Trump.
Pasaportat e kufizuara u njoftuan për herë të parë në prill, si pjesë e përgatitjeve për 250-vjetorin e pavarësisë amerikane. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, bëhet fjalë për një numër të kufizuar dokumentesh të dizajnuara posaçërisht për këtë përvjetor.
Zyrtarët kanë deklaruar se pasaportat do të kenë elemente artistike dhe imazhe të personalizuara, ndërsa do të ruajnë të njëjtat karakteristika sigurie si pasaportat e zakonshme amerikane. Çmimi për pajisjen me këtë version përkujtimor nuk do të jetë më i lartë se ai i pasaportës standarde.
Dizajni i pasaportës ka pësuar disa ndryshime që nga prezantimi fillestar. Në një postim të qershorit në Truth Social, Donald Trump kishte publikuar një version të përditësuar të saj dhe kishte shkruar: “Pasaporta e re e SHBA-ve, e cila thotë: “Mirë se vini, por silluni mirë!’ Presidenti DJT.”
Një tjetër ndryshim i dukshëm është firma e presidentit. Në versionin e prezantuar fillimisht ajo ishte me ngjyrë ari, ndërsa në versionin e ri shfaqet në të zezë.
Pasaporta nuk është i vetmi dokument amerikan që është ndryshuar në kuadër të 250-vjetorit. Departamenti i Brendshëm i SHBA-ve ka njoftuar gjithashtu se portreti i Donald Trump do të shfaqet në kartat vjetore për hyrjen në parqet kombëtare amerikane.
Edhe karta “America the Beautiful”, e destinuar për banorët amerikanë, lidhet me festimet e 250-vjetorit dhe përmban portretet e Donald Trump dhe George Uashington./k.m