Alternativa për Gjermaninë, AfD, shënoi një fitore historike në landin e Saksoni-Anhaltit, duke siguruar 44,5 për qind të votave.
Në qendër të këtij rezultati që trondit skenën politike gjermane është Ulrich Siegmund, 35-vjeçari i cili ka arritur t’i japë një fytyrë më të moderuar njërës prej degëve më radikale të partisë. Ndryshe nga retorika e ashpër që karakterizon shpesh AfD-në, Siegmund ka ndërtuar profilin e një politikani optimist, të afërt me njerëzit dhe tepër aktiv në rrjetet sociale.
Me 680 mijë ndjekës në Instagram dhe 800 mijë në TikTok, ai është kthyer në një lloj influenceri politik, ndërsa tubimet e tij tërheqin një numër të madh mbështetës që presin edhe me orë të tëra vetëm për një fotografi me të. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se pas imazhit të tij të moderuar qëndron një program politik tejet radikal.
Dega e AfD-së që Siegmund drejton në Saksoni-Anhalt është cilësuar nga shërbimet gjermane të inteligjencës si ekstremiste. Manifesti i saj parashikon një politikë të gjerë “riemigrimi”, pra largimin e emigrantëve, dhe konsiderohet më radikali i hartuar ndonjëherë në vend: Ai përmban propozime të tilla polemizuese si “klasa të veçanta” për fëmijët e azilkërkuesve, pasi ata qëndrojnë në Gjermani vetëm përkohësisht, “për t’ua kursyer fëmijëve gjermanë” qëndrimin “me kultura krejtësisht të huaja”, ndërsa pretendon se edhe personat me aftësi të kufizuara duhet te jenë veçmas, sepse “pengojnë përparimin e arsimit”.
Siegmund i paraqet këto politika me një gjuhë të qetë dhe positive, e madje edhe termin “riemigrim” e përshkruan si një fjalë krejtësisht normale. Aftësia për të transformuar edhe kritikat në avantazh është kthyer në një prej armëve të tij politike. Kur Der Spiegel e cilësoi “njeriun më të rrezikshëm të Gjermanisë”, Siegmund nisi të firmoste kopertinën dhe t’ua shpërndante personalisht revisten mbështetësve, duke e kthyer sulmin në një prej simboleve të fushatës.
Fitorja me 44,5 për qind e vendos tashmë AfD-në përpara mundësisë teorike për të marrë drejtimin e Saksoni-Anhaltit. Një zhvillim që, nëse do të konkretizohej, do të shënonte një precedent historik për të djathtën ekstreme në Gjermaninë e pasluftës./ad
