Dikur, shtatori dhe tetori ishin muajt idealë për të udhëtuar me më pak turistë, temperatura më të buta dhe, mbi të gjitha, çmime më të ulëta. Por ky avantazh po zbehet.
Një analizë e CNN Travel tregon se “sezoni i fshehtë” i udhëtimeve nuk është më aq i fshehtë. Vjeshta po kthehet gjithnjë e më shumë në një periudhë të preferuar për pushime, veçanërisht për udhëtarët që kërkojnë më pak vapë dhe më pak turma. Rritja e kërkesës po sjell edhe një efekt të drejtpërdrejtë në çmime. Sipas të dhënave të Hopper Technology Solutions, biletat për fluturimet e brendshme në SHBA këtë vjeshtë janë mesatarisht 39% më të shtrenjta se një vit më parë. Në fakt, hendeku tradicional mes verës dhe vjeshtës pothuajse është zhdukur.
Katër vite më parë, një fluturim i brendshëm në SHBA gjatë vjeshtës kushtonte rreth 20% më pak se në muajt e pikut të verës. Këtë vit, çmimi mesatar është rreth 1% më i lartë se në verë.
Edhe udhëtimet drejt Europës po ndjekin të njëjtin trend. Sipas Hopper, fluturimet nga SHBA drejt Europës këtë vjeshtë janë rreth 33% më të shtrenjta se në vjeshtën e vitit të kaluar.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka më oferta.
“Vjeshta është vërtet vera e re”, thotë Misty Belles, zv/presidente për marrëdhëniet me publikun në Virtuoso, rrjet i specializuar në udhëtimet luksoze dhe eksperiencat.
Sipas Virtuoso, rezervimet për vjeshtën e vitit 2026 janë rritur me 59% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa të ardhurat nga këto rezervime janë rritur me 69%. Vetëm rezervimet drejt Europës janë rritur me 49%, edhe pse çmimet janë rritur me më shumë se 7%.
Pra, udhëtarët nuk po zgjedhin më vjeshtën vetëm sepse është më e lirë. Po e zgjedhin sepse është më komode.
Vapa po ndryshon mënyrën si udhëtojmë
Një nga arsyet kryesore është ndryshimi i klimës dhe temperaturat gjithnjë e më të larta gjatë verës.
Udhëtimet në korrik dhe gusht, veçanërisht në qytetet europiane, po bëhen më të vështira për shkak të temperaturave ekstreme. Për shumë turistë, shtatori dhe tetori ofrojnë një kompromis shumë më të mirë: mot më të freskët, më pak turma dhe ende mjaftueshëm ditë me diell.
Një këshilluese udhëtimesh nga Kalifornia, Jo-Anne Redwood, tregon për CNN se pas një vere të kaluar në Europë, ku temperaturat në Budapest iu afruan 38 gradëve Celsius me lagështi të lartë, ajo e kuptoi edhe më shumë pse klientët e saj po zhvendosin pushimet drejt vjeshtës.
Sipas saj, shtatori po zë vendin që dikur kishte gushti, ndërsa tetori po bëhet gjithnjë e më shumë muaji i preferuar për udhëtime.
Kjo kërkesë e re po reflektohet në çmime. Redwood thotë se për disa kroçera lumore në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, çmimet janë 15% deri në 20% më të larta krahasuar me fillimin e shtatorit.
Ku mund të gjenden ende oferta?
Edhe pse çmimet janë rritur, ekspertët thonë se vlera e mirë nuk është zhdukur plotësisht. Thjesht kërkon më shumë fleksibilitet.
Sipas Expedia, disa destinacione europiane vazhdojnë të ofrojnë kursime gjatë vjeshtës. Mes tyre përmenden zona të Algarve në Portugali dhe disa ishuj grekë.
Edhe në SHBA, Expedia ka identifikuar destinacione ku udhëtimi në vjeshtë mund të jetë dukshëm më i lirë, veçanërisht në disa zona bregdetare dhe malore.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që udhëtarët të mos kufizohen vetëm te një aeroport apo një destinacion. Ndryshimi i aeroportit të nisjes, zgjedhja e një qyteti alternativ apo edhe spostimi i udhëtimit nga fundjava drejt ditëve të javës mund të bëjë diferencë.
Një nga këshillat më të thjeshta është zgjedhja e së dielës për qëndrimin. Sipas Expedia, e diela është zakonisht ndër ditët më të lira të javës për akomodim.
Edhe muaji nëntor po hyn në lojë
Nëse dikur nëntori konsiderohej një periudhë e zbrazët mes vjeshtës dhe dimrit, tashmë edhe ky muaj po fiton terren.
Virtuoso raporton rritje prej rreth 70% deri në 71% të rezervimeve dhe shitjeve për udhëtime në nëntor.
Një nga arsyet është se turistët po kërkojnë periudha me më pak fluks, ndërsa fleksibiliteti që ofron puna në distancë dhe ndryshimi i kalendarëve familjarë po u lejon më shumë njerëzve të udhëtojnë jashtë sezonit tradicional.
Por ka edhe një paradoks.
Ndërsa kërkesa për vjeshtën rritet, avantazhi ekonomik që e bëri këtë periudhë tërheqëse po zvogëlohet.
Të dhënat e Cirium tregojnë se rezervimet nga SHBA drejt Europës për udhëtime në vjeshtë kanë rënë me rreth 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon se rritja e kërkesës nuk është uniforme në të gjithë tregun. Në segmentin luksoz, megjithatë, interesi mbetet veçanërisht i fortë.
Në fund, rregulli i vjetër “prit shtatorin dhe do të udhëtosh më lirë” nuk funksionon më automatikisht.
Vjeshta vazhdon të ofrojë një eksperiencë më të qetë, më të freskët dhe në shumë raste më të këndshme. Por për çmime vërtet të mira, udhëtarët duhet të jenë më fleksibël me datat, destinacionin, aeroportin dhe llojin e akomodimit.
Pra, vjeshta mund të jetë ende një nga periudhat më të mira për të udhëtuar. Vetëm se nuk është më domosdoshmërisht edhe më e lira./ad
