Last Updated on 08/09/2026 by EL
Në Beograd u zhvillua ceremonia mortore e gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mladić, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Ceremonia u shoqërua me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve dhe me nderime të veçanta ushtarake, duke shkaktuar reagime të forta për mënyrën se si një person i dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftërave në ish-Jugosllavi u përcoll në Beograd.
Trupi i Mlladiç u ekspozua fillimisht në Kishën e Shën Apostull Lukës në Košutnjak, ku qytetarë dhe mbështetës u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit. Më pas, familjarë, miq dhe mijëra mbështetës u nisën në një procesion drejt varrezave Topčider, ku ai u varros pranë vajzës së tij, Anës.
Ceremonia fetare u drejtua nga Patriarku serb Porfirije, i shoqëruar nga një numër peshkopësh. Në fjalën e tij, patriarku foli për vdekjen, jetën e përjetshme dhe besimin e krishterë, duke thënë se lutja bëhet për shpëtimin e çdo njeriu.
Mori fjalën dhe djali i tij, Darko Mladić, i cili iu drejtua drejtpërdrejt të atit para të pranishmëve. Ai e përshkroi të atin si një njeri që kishte luftuar dhe sakrifikuar për popullin serb dhe tha se ai është i “barabartë me figura historike të Serbisë”.
Darko Mlladiç deklaroi gjithashtu se babai i tij ishte vrarë në Hagë dhe akuzoi gjykatat ndërkombëtare për trajtimin e tij.
Pas fjalimit u zhvillua një ceremoni me të shtëna armësh në formë nderimi.
Në ceremoni u shfaqën edhe simbole të traditës ushtarake. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin serb dhe u shoqërua nga muzikë ushtarake gjatë rrugës drejt varrit.
Pamjet nga ceremonia kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një nga figurat më të diskutueshme të luftërave të viteve ’90 në ish-Jugosllavi. Për viktimat dhe familjet e tyre, nderimet publike ndaj Mlladiç janë të dhimbshme, ndërsa në Serbi vijojnë heroizimet për kriminelët e luftës.
Ratko Mladić u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë rolin e tij në rrethimin e Sarajevës dhe masakrën në këtë qytet. Edhe BE, i konsideroi pamjet e varrimit në Serbi si tronditëse./et
