Last Updated on 08/09/2026 by EL
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, është rikthyer në Kuvend në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar të legjislaturës së 11-të.
Koçeku, e cila disa muaj më parë u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, është ulur në krah të deputetëve të opozitës gjatë seancës së sotme plenare.
Ndërkohë, para nisjes së seancës plenare është bërë me dije se Evis Kushi do të jetë propozimi i Partisë Socialiste për postin e nënkryetares së Kuvendit. Propozimi është bërë i ditur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, përpara nisjes së seancës.
Paralelisht me seancën plenare, para ambienteve të Kuvendit po zhvillohet edhe protesta, e cila sot shënon ditën e 101-të të saj.
Policia ka marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e situatës. Forca të shumta policie kanë bllokuar hyrjet nga të dyja anët e rrugës “Xhorxh Bush”, si dhe kalimin në pedonale, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme gjatë protestës./ET
