Një zhvillim i ri dhe tronditës ka dalë në dritë në hetimin për zhdukjen e 50-vjeçares kineze Yu Ting, e cila rezulton e zhdukur prej 20 majit në Greqi. Gjetja e pasaportës së saj të prerë në 22 shirita në Attiko Alsos ka rikthyer në vëmendje një prej rasteve më misterioze që po hetohen nga autoritetet greke.
Pasaporta u gjet e hedhur në zonën e pyllëzuar dhe e dëmtuar nga ekspozimi ndaj diellit, çka ka ngritur dyshime se mund të kishte qëndruar aty për një periudhë të gjatë.
Bashkëshorti i Yu Ting ka shprehur habinë për mënyrën se si është shkatërruar dokumenti i identifikimit.
“Disa njerëz që po shëtisnin qenin e tyre në korije panë copat e pasaportës dhe njoftuan autoritetet. Pse do ta copëtonin dhe do ta hidhnin atje, në vend që ta digjnin plotësisht?”
Mënyra e pazakontë e shkatërrimit të pasaportës ka ngritur pikëpyetje të shumta. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se kur është hedhur dokumenti në atë zonë, kush mund ta ketë transportuar atje dhe nëse copat e gjetura mund të përmbajnë gjurmë që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të 50-vjeçares.
Anastasios Dougas, avokati i bashkëshortit, ka vënë në dukje se Bashkia kishte pastruar barin e thatë në zonë para 15 gushtit. Për këtë arsye, përcaktimi i kohës kur pasaporta është hedhur aty konsiderohet një element i rëndësishëm për hetimin.
Laboratorët mjeko-ligjorë pritet të analizojnë materialet e gjetura për prova të mundshme të ADN-së. Ndërkohë, mënyra e prerjes së dokumentit ka ngritur edhe dyshime për përdorimin e një pajisjeje të posaçme për copëtimin e tij.
Telefoni i Yu Ting, një tjetër gjurmë e rëndësishme
Përveç pasaportës, autoritetet kanë në duar edhe një tjetër objekt të rëndësishëm: telefonin celular të Yu Ting.
Pajisja ishte gjetur në Sheshin “Amerika”, rreth 2.5 kilometra larg vendit ku u gjet pasaporta.
“Vendndodhja në Sheshin “Amerika” përkon më shumë me planin e saj për atë ditë. Ajo duhej të shkonte në atë takim”, theksoi burri i saj.
Hetimet rreth telefonit kanë nxjerrë gjithashtu në pah një tjetër pistë. Sipas raportimeve të mediave greke, telefoni ishte aktivizuar disa ditë pas zhdukjes së Yu Ting, pasi në të ishte vendosur një kartë SIM tjetër.
Gjurmimi i pajisjes çoi autoritetet te një shtetas shqiptar. Ai ka deklaruar se telefonin e kishte marrë nga një shtetas bullgar, i cili pretendonte se e kishte gjetur pajisjen të braktisur.
Të dy personat janë marrë në pyetje nga policia, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se ku dhe në çfarë rrethanash telefoni ka kaluar nga një person te tjetri.
Pajisja është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, me qëllim rikuperimin e të dhënave që mund të jenë fshirë. Hetuesit shpresojnë të gjejnë kontakte, mesazhe, fotografi apo të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të fundit të 50-vjeçares.
Në Attiko Alsos, pranë vendit ku u gjet pasaporta, janë gjetur së fundmi edhe copa të tjera letre dhe shirit ngjitës me dy anë, të prerë në shirita. Këto materiale janë marrë në konsideratë nga autoritetet si prova të mundshme në hetim.
Në fund të gushtit, vjehrra e Yu Ting është marrë përsëri në pyetje. Pyetjet janë përqendruar edhe te një udhëtim pune që ajo kishte bërë në Shqipëri së bashku me nusen e saj.
Zhdukja misterioze
Yu Ting, 50 vjeçe, u zhduk më 20 maj në Greqi. Ditën e zhdukjes, ajo ishte larguar nga shtëpia e saj në Artemida në orën 10:05 të mëngjesit, me destinacion qendrën e Athinës.
Sipas familjarëve të saj, ajo kishte ndërmend të mblidhte qira nga apartamentet e kinezëve të pasur. Gjurmët e saj u humbën pasi zbriti nga autobusi.
Bashkëshorti i saj grek, Vasilis Karavasilis, ka deklaruar se beson se gruaja e tij ose është rrëmbyer, ose është vrarë. Megjithatë, ai ka pranuar se deri tani nuk ka prova që mund të përcaktojnë me siguri se çfarë ka ndodhur me të.
“Nuk mund të jem i sigurt nëse ajo është gjallë apo jo. Nuk ka asnjë indikacion në asnjërën anë. Mungojnë shumë informacione. Është e pamundur që ajo të jetë larguar me vullnetin e saj të lirë. Ne nuk ishim të shqetësuar për asgjë”, tha Karavasilis.
Edhe familjarët e tjerë të saj kanë shprehur dyshimin se largimi i saj nuk ka qenë vullnetar.
Pista shqiptare
Një prej elementeve që e bën më kompleks hetimin është lidhja e Yu Ting me Shqipërinë.
50-vjeçarja ishte pajisur me leje qëndrimi njëvjeçare nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë më 17.01.2026, për shkak të interesave të saj për të investuar në Shqipëri.
Sipas dëshmive, interesi i saj lidhej me burimet e ujit në Bogovë, ku synohej ngritja e një impianti për prodhimin e ujit të ambalazhuar.
“Një klient nga Kina po kërkonte një vendndodhje për të ndërtuar një impiant për shishet e ujit. Kjo ishte ajo me të cilën ata ishin “ngërthyer”, duke dashur të ndërtonin një impiant për shishet e ujit. Është një burim në një mal në Shqipëri. Ka ujë shumë të mirë, por asgjë nuk ka përparuar. Ajo shkoi dy herë”, tha një agjente pasurish të paluajtshme shqiptare për televizioni “MEGA”.
Lidhja me Shqipërinë del edhe në dëshmitë për takimet e saj në ditët para zhdukjes.
Një dëshmitar ka folur për një takim të zhvilluar katër ditë para zhdukjes, ku ishin të pranishëm Yu Ting, një agjente e pasurive të paluajtshme, një shtetas kinez, një prift dhe një oficer policie në pension.
“Në takim erdhi edhe kinezi, të cilin nuk e pashë më. Shkova, pimë kafe, ndenjëm për rreth 20 minuta, as gjysmë ore, dhe pastaj ikëm. Ishte si një njohje. Nuk pashë asgjë që e shqetësonte, që të kishte ndonjë frikë. Gruaja më dukej mirë. E kam parë Yu Ting dy herë gjithsej. Një herë në kishë ku e solli agjentja e pasurive të paluajtshme. Dhe një herë tjetër kur e pashë në kafene. Fliste mirë greqisht. Dhe kur e pashë, hera e fundit që e pashë ishte, mendoj, e premte, më 16 maj”, tha prifti.
Sipas dëshmisë së tij, takimi lidhej me çështje të pasurive të paluajtshme. Agjentja shqiptare e kishte prezantuar Yu Ting si një grua që kërkonte prona në emër të klientëve të pasur kinezë.
“B. është nga Shqipëria dhe burri i saj është grek. Dhe e njoh prej kohësh. Dhe një ditë ajo erdhi në kishë për të rezervuar një pagëzim dhe filluam të flasim për pasuri të paluajtshme. Ajo më tha “Do të të sjell një grua kineze që është përfaqësuese e shumë kompanive, shumë njerëzve të pasur që kërkojnë prona të të gjitha llojeve, fusha, shtëpi, gjithçka për investime”. Dhe unë i thashë se kam disa njerëz seriozë që zotërojnë hotele dhe pasuri të paluajtshme. Kështu më vuri në kontakt me Tingun, i cili nga sa kuptoj kishte pasur një lidhje me zonjën për një kohë të gjatë”, shtoi ai.
Agjentja shqiptare ka konfirmuar se kishte punuar me Yu Ting që prej vitit 2022. Sipas saj, ato kishin treguar më shumë se 20 prona për investitorë kinezë, por asnjë prej transaksioneve nuk ishte përfunduar.
Edhe motra e Yu Ting ka folur për interesin e saj për Shqipërinë.
“Ajo kishte marrë një leje qëndrimi, të vlefshme për një vit, për në Shqipëri”, u shpreh ajo, duke theksuar se gjatë një bisede më 29 prill, Yu Ting i kishte thënë se dëshironte të shkonte në Shqipëri dhe se do t’i tregonte disa parcela toke atje.
Dyshimet për një çështje biznesi në Athinë
Në hetim është përfshirë edhe një tjetër pistë që lidhet me aktivitetin e saj në fushën e biznesit.
Sipas mediave greke, Yu Ting dyshohet se ishte përfshirë në një çështje që kishte të bënte me blerjen e një stacioni karburanti në qendër të Athinës.
Njëra prej dy grave kineze të përfshira në transaksion pretendon se është mashtruar nga Yu Ting dhe partneri i saj.
“Yu Ting dhe partneri im më mashtruan”, thotë ajo.
“Ata më kërkuan të punoja me ta për të blerë një pikë karburanti. Na u desh të investonim 100,000 euro, të cilat i mora hua nga të afërmit dhe miqtë. Por më vonë thanë se nuk isha e përshtatshme si partnere dhe nuk ndodhi asgjë”,
Këto pretendime janë pjesë e materialeve që autoritetet po shqyrtojnë për të kuptuar marrëdhëniet profesionale dhe financiare të Yu Ting në periudhën para zhdukjes.
Hetimi vijon në disa pista
Rasti i Yu Ting mbetet ende i pazgjidhur. Autoritetet greke po përpiqen të rindërtojnë orët dhe ditët e fundit para zhdukjes së saj, ndërsa në qendër të hetimit janë telefoni celular, pasaporta e copëtuar, lëvizjet e saj në Athinë, kontaktet profesionale dhe aktiviteti i saj në Shqipëri.
Gjetja e pasaportës, pas disa muajsh, ka sjellë një provë të re në një dosje ku deri tani kanë munguar përgjigjet përfundimtare.
Ndërkohë, lidhjet e saj me Shqipërinë, kontaktet me investitorë kinezë, aktiviteti në pasuritë e paluajtshme dhe çështjet e biznesit në Greqi mbeten pjesë e pistave që po shqyrtohen.
Hetuesit tashmë duhet të bashkojnë këto elemente për të kuptuar se çfarë ndodhi me Yu Ting pas largimit të saj nga Artemida më 20 maj./MXH
