Autoritetet indoneziane kanë humbur kontaktin me një varkë që transportonte tetë persona, përfshirë pesë gazetarë që po mbulonin shpërthimet e vullkanit Anak Krakatau.
Anija u nis të hënën pasdite nga një port në provincën Banten, rreth 120 kilometra në perëndim të Xhakartës, njoftoi agjencia e kërkim-shpëtimit.
Mes personave në bord ishin pesë gazetarë indonezianë, të cilët punonin për media lokale dhe ndërkombëtare. Ata kishin udhëtuar drejt zonës për të fotografuar dhe filmuar shpërthimet e vullkanit.
Një prej gazetarëve kontaktoi për herë të fundit një koleg rreth orës 15:00, sipas kohës lokale, të hënën. Që prej asaj kohe nuk ka pasur më asnjë komunikim me të.
“Deri më tani ata nuk janë kthyer dhe pronari i varkës nuk ka asnjë informacion nga ekuipazhi”, tha agjencia e kërkim-shpëtimit, e cila ka mobilizuar ekipet e shpëtimit, oficerët e policisë dhe avionët për gjetjen e personave të zhdukur.
Përveç pesë gazetarëve, në bordin e anijes ndodheshin edhe dy anëtarë të ekuipazhit dhe një guidë turistike.
Kreu i shërbimit lokal të shpëtimit, Al Amrad, i tha Kompas TV se kërkimet janë pezulluar për sot dhe do të rifillojnë të mërkurën në mëngjes.
Agjencia e lajmeve Antara konfirmoi se fotoreporteri Muhammad Baghus Khoirounas ishte në bordin e varkës. Sipas agjencisë, policia tha se operacioni i kërkimit është i vështirë për shkak të valëve të larta dhe dukshmërisë së kufizuar në zonë.
Ndërkohë, shpërthimet vullkanike kanë shkaktuar probleme edhe në transportin ajror. Për shkak të aktivitetit të Anak Krakatau, autoritetet lokale u detyruan të pezullojnë operacionet në disa aeroporte indoneziane për dy ditë.
Fluturimet rifilluan sot në aeroportin ndërkombëtar të Xhakartës, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për gjetjen e tetë personave që ndodheshin në varkën e zhdukur./mxh
