Kriza demografike po shndërrohet në një nga rreziqet më të mëdha afatgjata për Ballkanin Perëndimor. Rajoni jo vetëm po humbet popullsi, por kryesisht të rinj, të arsimuar dhe persona në moshë pune, pikërisht grupet mbi të cilat mbështeten rritja ekonomike, tregu i punës dhe financimi i pensioneve.
Analiza “Vrasësi i heshtur i Ballkanit Perëndimor: Rënia demografike dhe humbja e kapitalit njerëzor”, e publikuar nga Instituti Hungarez i Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA), argumenton se kjo situatë është krijuar nga dobësia e institucioneve, korrupsioni, mungesa e besimit publik dhe perspektivat e kufizuara ekonomike e profesionale.
Rënia e lindjeve, plakja dhe emigracioni po veprojnë njëkohësisht. Më pak të rinj nënkupton më pak prindër në të ardhmen, ndërsa largimi i popullsisë në moshë pune zvogëlon më tej lindjet, fuqinë punëtore dhe numrin e kontribuuesve në sistemet sociale.
Serbia humbi 437 mijë banorë në një dekadë
Serbia përfaqëson një nga rastet ku rënia natyrore e popullsisë po thellohet. Në vitin 2024, vendi regjistroi 60,845 lindje dhe 98,230 vdekje, duke humbur 37,385 banorë vetëm nga diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve. Norma e fertilitetit ishte 1.63 fëmijë për grua, shumë më poshtë nivelit prej 2.1 që nevojitet për zëvendësimin e popullsisë.
Gjatë periudhës 2015-2024, Serbia humbi 437,205 banorë nga rënia natyrore, pa përfshirë këtu pasojat e emigracionit. Kjo është e barabartë me zhdukjen e dy qyteteve të mesme brenda një dekade. Sipas vlerësimeve të tjera të cituara në analizë, Serbia ka humbur afro një milion banorë që nga viti 1991. Humbja e vazhdueshme e popullsisë së kualifikuar po zvogëlon bazën e punonjësve, profesionistëve dhe kontribuuesve të ardhshëm.
Bosnjë-Hercegovina, fertiliteti në nivelin më të ulët
Në Bosnjë-Hercegovinë u regjistruan 26,037 lindje dhe 36,423 vdekje në vitin 2024, duke sjellë një rënie natyrore prej 10,386 banorësh.
Norma zyrtare e fertilitetit zbriti në 1.17 fëmijë për grua, niveli më i ulët i regjistruar në vend. Megjithatë, raporti evidenton se vlerësimet ndryshojnë sipas burimeve dhe se Banka Botërore e llogarit treguesin rreth nivelit 1.5.
Matja e përmasave reale të krizës vështirësohet nga fragmentimi institucional, metodologjitë e ndryshme statistikore dhe mungesa e të dhënave të plota mbi migracionin. Për këtë arsye, rënia e popullsisë mund të jetë edhe më e thellë se ajo që tregojnë statistikat zyrtare.
Bosnjë-Hercegovina renditet gjithashtu ndër vendet me diasporën më të madhe në raport me numrin e popullsisë.
Shqipëria humbi 1.2% të popullsisë brenda një viti
Në Shqipëri, rënia natyrore dhe emigracioni po përforcojnë njëra-tjetrën. Sipas të dhënave të cituara në raport, popullsia e vendit arriti në rreth 2.36 milionë banorë në vitin 2024, duke u tkurrur me 1.2% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Rritja natyrore është shumë e kufizuar, ndërsa emigracioni mbetet i lartë. Mosha mediane është rritur në rreth 44.3 vjeç, duke dëshmuar plakjen e shpejtë dhe pakësimin e popullsisë në moshë pune.
Shqipëria renditet ndër vendet me diasporën më të madhe në raport me popullsinë. Përmasat e emigracionit po reduktojnë njëkohësisht fuqinë punëtore aktuale dhe kapacitetin për ripërtëritjen e popullsisë në të ardhmen.
Kosova humbet popullsi pavarësisht shtesës natyrore
Kosova ka popullsinë më të re të rajonit, me moshë mesatare rreth 32 vjeç, por as kjo strukturë demografike nuk po mjafton për të shmangur tkurrjen e popullsisë.
Sipas regjistrimit të vitit 2024, popullsia rezidente ishte rreth 1.59 milionë banorë. Gjatë vitit, shtesa natyrore ishte pozitive me 10,888 persona.
Megjithatë, nga vendi u larguan 37,451 persona, ndërsa hynë 9,038. Bilanci negativ migrator prej 28,413 personash e përmbysi plotësisht shtesën natyrore. Si rezultat, popullsia rezidente u tkurr me 17,525 banorë brenda një viti.
Rasti i Kosovës tregon se emigracioni mund të neutralizojë edhe një raport ende pozitiv ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve.
Maqedonia e Veriut, popullsia u tkurr me 5%
Popullsia e Maqedonisë së Veriut vlerësohej në rreth 1.82 milionë banorë në fund të vitit 2024, duke shënuar një rënie prej 5% krahasuar me vitin 2014.
Në vitin 2024 u regjistruan 16,061 lindje dhe 20,201 vdekje, ndërsa norma e fertilitetit ishte rreth 1.48 fëmijë për grua.
Vendi shënoi një bilanc të lehtë pozitiv migrator prej 799 personash, por kjo nuk mjaftoi për të neutralizuar rënien natyrore. Rreth 18% e popullsisë është mbi 65 vjeç dhe mosha mediane ka kaluar 40 vjeç.
Mali i Zi ruan popullsinë falë emigrantëve
Mali i Zi është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku popullsia mbetet pak a shumë e qëndrueshme. Kjo nuk lidhet vetëm me treguesit natyrorë, por kryesisht me bilancin pozitiv migrator, të mbështetur nga ardhja e shtetasve rusë dhe turq.
Në vitin 2024, numri i lindjeve ishte vetëm pak më i lartë se ai i vdekjeve, ndërsa norma e fertilitetit ishte 1.8 fëmijë për grua, më e larta në rajon, por përsëri nën nivelin e zëvendësimit.
Mosha mesatare e popullsisë është pak nën 40 vjeç. Megjithatë, personat mbi 65 vjeç përbëjnë 17% të popullsisë, ose rreth 105,700 banorë. Kjo nënkupton se edhe Mali i Zi do të përballet me presion mbi pensionet, shëndetësinë dhe tregun e punës, ndërsa numri i grave në moshë riprodhuese pritet të vazhdojë të bjerë.
Emigracioni po u kushton ekonomive deri në 3% të PBB-së
Pasojat ekonomike shkojnë përtej mungesës së fuqisë punëtore. Vendet e rajonit financojnë arsimin e të rinjve nga buxheti publik, por shumë prej tyre largohen pas përfundimit të studimeve dhe paguajnë taksa në ekonomitë e vendeve pritëse. Në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor financon formimin e kapitalit njerëzor që më pas përdoret nga ekonomitë më të zhvilluara.
Sipas vlerësimeve të cituara nga HIIA, emigracioni mund t’u kushtojë Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut deri në 3% të PBB-së. Për Shqipërinë, kostoja e çdo personi që emigron vlerësohet në rreth 15 mijë euro, me një humbje të përgjithshme vjetore prej afërsisht 559 milionë eurosh. Në Malin e Zi, kostoja tejkalon 21 mijë euro për emigrant dhe rreth 70 milionë euro në vit. Për Maqedoninë e Veriut, humbja llogaritet në rreth 16 mijë euro për person dhe 333 milionë euro në vit.
Për vendet e tjera nuk janë bërë vlerësime të ngjashme, por analiza sugjeron se kostot mund të jenë edhe më të larta, duke pasur parasysh madhësinë e ekonomive dhe popullsive të tyre. Remitancat mbështesin konsumin dhe të ardhurat e familjeve, por nuk e kompensojnë humbjen e kapitalit njerëzor. Pjesa më e madhe e tyre shpenzohet për konsum dhe vetëm një pjesë e kufizuar përdoret për investime prodhuese.
Nuk largohen vetëm për paga më të larta
Diferencat në të ardhura dhe standarde jetese mbeten shtysa të rëndësishme të emigracionit, por nuk janë arsyet e vetme.
Sipas analizës, të rinjtë largohen edhe për shkak të korrupsionit, nepotizmit, dobësisë së shtetit ligjor dhe mungesës së besimit tek institucionet publike. Pasiguria për zhvillimin profesional dhe bindja se lidhjet personale kanë më shumë peshë se aftësitë i shtyjnë shumë të rinj të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit.
Mosbesimi shtrihet edhe te sistemet publike të arsimit dhe shëndetësisë. Kur qytetarët paguajnë taksa, por detyrohen t’u drejtohen shërbimeve private, pakënaqësia dhe mungesa e besimit tek shteti thellohen.
Integrimi në BE mund ta përshpejtojë fillimisht largimin
Një nga paradokset e integrimit europian është se heqja e pengesave për punësim dhe lëvizje mund ta përshpejtojë emigracionin nga Ballkani Perëndimor.
Kjo do t’i ndihmonte vendet e BE-së, të cilat po përballen vetë me plakjen dhe mungesën e fuqisë punëtore. Por për rajonin, një valë e re largimesh do të thellonte mungesën e punonjësve dhe profesionistëve. Sipas studimit Kroacia tregon se si mund të zhvillohet ky proces. Nga anëtarësimi në BE në vitin 2013 deri në vitin 2023, nga vendi emigruan rreth 389 mijë persona, një humbje e konsiderueshme për një popullsi prej rreth 3.8 milionë banorësh.
Që nga viti 2022, Kroacia ka shënuar bilanc pozitiv migrator, kryesisht falë punonjësve nga Nepali, India, Filipinet dhe Bangladeshi. Njëkohësisht, rreth 10 mijë kroatë vlerësohet se kthehen çdo vit, të nxitur nga rritja e standardit të jetesës dhe përmirësimi i perspektivës ekonomike.
Rasti kroat tregon se integrimi mund ta thellojë emigracionin në afat të shkurtër, por në një periudhë më të gjatë mund të krijojë kushtet për rikthimin e një pjese të diasporës, nëpërmjet përmirësimit të pagave, infrastrukturës dhe institucioneve.
Bonuset për lindjet nuk mjaftojnë
Qeveritë e rajonit janë përpjekur t’i përgjigjen rënies së lindjeve kryesisht me pagesa dhe bonuse financiare. Sipas analizës, transfertat e drejtpërdrejta kanë ndikim të kufizuar, sepse janë afatshkurtra dhe nuk ndryshojnë kushtet ekonomike dhe institucionale që ndikojnë në vendimin për të krijuar familje.
Mbështetja financiare duhet të shoqërohet me punësim të qëndrueshëm, strehim të përballueshëm, më shumë çerdhe, arsim cilësor dhe mundësi për harmonizimin e punës me jetën familjare. Por edhe këto politika nuk do të mjaftojnë nëse nuk rritet besimi tek institucionet dhe nuk krijohen mundësi të drejta për zhvillim profesional.
Nëse prirjet aktuale vazhdojnë, Ballkani Perëndimor do të ketë më pak punonjës dhe taksapagues, më shumë pensionistë dhe shpenzime sociale, si dhe kapacitete më të dobëta për të tërhequr investime. Në këtë mënyrë, rënia demografike rrezikon të shndërrohet në një proces që ushqen vetveten: ekonomitë më të dobëta nxisin emigracion të ri, ndërsa emigracioni i dobëson më tej ekonomitë e rajonit. /Monitor/k.m
