BE përballet me presion të ri pasi skadojnë masat emergjente të marra muaj më parë për të shmangur kaosin në kufij, ndërsa kompanitë e udhëtimeve paralajmërojnë për radhë të gjata dhe fluturime të humbura.
Pas një vere me radhë të gjata, fluturime të humbura dhe kaos në kufij, masat e përkohshme të fleksibilitetit për Sistemin e Hyrje/Daljeve (EES) përfunduan më 6 shtator.
Rregullat u lejonin shteteve anëtare të pezullonin, në raste të jashtëzakonshme, skanimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe të fytyrës për të lehtësuar mbingarkesën.
Tani, organizatat e sektorit ajror kërkojnë që këto masa të zgjaten, duke paralajmëruar për vonesa të gjata në kufijtë e Europës. Koha e pritjes arriti deri në pesë orë në korrik, sipas Airports Council International (ACI). Aeroportet e Lisbonës, Milanos, Romës dhe Krakovit u prekën veçanërisht rëndë.
Kaosi i atribuohet kryesisht mosfunksionimit të sporteleve, mungesës së stafit dhe problemeve teknike në sistem.
Ryanair e ka kritikuar EES që prej nisjes së tij në tetor të vitit të kaluar. Drejtori i operacioneve, Neal McMahon, tha se mënyra se si BE-ja e ka menaxhuar sistemin “ka qenë një kaos nga fillimi deri në fund”.
Sipas tij, kompanitë ajrore, aeroportet dhe autoritetet kufitare e kishin paralajmëruar Brukselin se sistemi nuk ishte gati, do të rriste kohën e përpunimit të pasagjerëve dhe do të krijonte radhë të tepërta.
Ai kërkoi që fleksibiliteti për EES të zgjatet të paktën deri në prill 2027, duke thënë se “pasagjerët nuk duhet të paguajnë çmimin për dështimin e zbatimit të EES nga BE-ja”.
Edhe Matthew Pack, CEO i Holiday Extras, e kritikoi ashpër sistemin, duke thënë: “Këto sisteme kufitare kanë dështuar. EES nuk ka funksionuar.”
Ai tha se ekzistojnë “dy kufij të BE-së”: njëri në njoftimet zyrtare, ku EES funksionon pa probleme dhe ETIAS është në rrugën e duhur, dhe tjetri në terren, ku pushuesit presin në radhë dhe sistemi zbatohet në mënyrë të çrregullt.
“Një sistem që ka nevojë për kaq shumë improvizim për të funksionuar nuk është gati. Përgjigjja e ndershme është ta pranojmë këtë, ta rikthejmë pas dhe ta rindërtojmë siç duhet”, tha Pack.
Komisioni Europian, megjithatë, e kundërshton këtë vlerësim, duke thënë se sistemi “ka funksionuar përgjithësisht mirë gjatë verës”.
Një zëdhënës shtoi se deri më 6 shtator kishte qenë e mundur pezullimi i përkohshëm i regjistrimit të të dhënave biometrike në raste të jashtëzakonshme dhe se Komisioni ishte në kontakt me shtetet anëtare ku nevojiteshin përshtatje. / Euronews-ad
