Qeveria po propozon një regjim të ri për pronat e paluajtshme shtet ku nga njëra anë, përcakton bregdetin, ujërat dhe burimet natyrore si prona publike të patjetërsueshme dhe, nga ana tjetër, vendos një mekanizëm për kalimin e pronës shtetërore në pronësi private në funksion të zhvillimeve, kur pjesa shtetërore nuk kalon 20% të pronës që do të zhvillohet.
Projektligji i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Drejtësisë synon të bashkojë në një kuadër të vetëm rregullat për administrimin, regjistrimin, transferimin dhe disponimin e pasurive shtetërore. Relacioni shpjegues thotë se nisma synon një “kuadër ligjor të unifikuar e të harmonizuar” dhe procedura më të qarta për përdorimin dhe disponimin e pronës së shtetit.
Bregdeti
Një nga ndarjet kryesore të draftit është ajo mes pronave publike, pronave publike të patjetërsueshme dhe pronave shtetërore jopublike.
Në kategorinë e pronave publike të patjetërsueshme projektligji përfshin vijën bregdetare, bregun e detit, rërën bregdetare, plazhin dhe ujërat territoriale. Në të njëjtën kategori futen shtretërit dhe brigjet e lumenjve e rrjedhave të tjera ujore, liqenet, lagunat dhe rezervuarët, si dhe burimet natyrore, rezervat minerare dhe inertet. Për këtë kategori, kufiri i vendosur nga drafti është i drejtpërdrejtë: ligje të tjera mund të përcaktojnë vetëm regjimin dhe kushtet e përdorimit ose gëzimit të këtyre pasurive nga subjekte private, por jo kalimin e pronësisë.
Projektligji shton se pronësia mbi këto pasuri nuk mund të fitohet as nëpërmjet parashkrimit fitues. Drafti dallon nga kjo kategori pronat shtetërore jopublike. Toka bujqësore, trojet, ndërtesat, aktivet e ngurtësuara të ndërmarrjeve nën administrimin e shtetit dhe prona të tjera të ngjashme, kur nuk mbulohen nga ligje të posaçme, do të kenë regjim juridik të barabartë me pronën private dhe do t’u nënshtrohen rregullave të Kodit Civil.
Privatizimi përmes konkurrimit
Në pjesën që rregullon disponimin ekonomik të pronës, projektligji përcakton si rregull përdorimin e procedurave konkurruese, përveç rasteve kur legjislacioni në fuqi parashikon ndryshe.
Format e disponimit përfshijnë privatizimin përmes shitjes me ankand ose formave të tjera të kalimit të pronësisë të parashikuara në Kodin Civil, përveç dhurimit. Drafti lejon gjithashtu shkëmbimin e pronës shtetërore me pasuri private, si dhe dhënien me qira, enfiteozë ose forma të tjera të përdorimit dhe gëzimit të parashikuara në legjislacion.
Relacioni e përshkruan këtë pjesë të reformës si unifikim të rregullave për pronat me pronar Republikën e Shqipërisë dhe ato të kaluara te njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë në të njëjtën kornizë qiranë, enfiteozën, shkëmbimin dhe privatizimin.
Sipas Ministrisë, detyrimet për mbikëqyrje dhe llogaridhënie synojnë të prekin çdo organ që administron prona shtetërore ose kryen procedurat e dhënies me qira, enfiteozë apo privatizimit.
Pragu 20% për pronën shtetërore në zhvillime
Drafti përmban edhe një dispozitë të posaçme për zhvillimet në territor. Prona shtetërore mund të kalojë në pronësi private në funksion të planeve të përgjithshme vendore, me kusht që pjesa shtetërore të mos jetë më e madhe se 20% e pronës që do të zhvillohet. Drafti nuk përcakton në vetë ligjin të gjitha detajet operative të këtij mekanizmi. Ai ia lë Këshillit të Ministrave përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojnë kërkuesit, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore, institucionet që do të përfshihen dhe rolin e tyre në proces.
Në të njëjtën pjesë, projektligji rendit si parime të disponimit mbrojtjen e interesit publik, transparencën dhe konkurrencën, përdorimin ekonomik dhe eficient të pronës dhe sigurimin e përfitimit financiar të favorshëm dhe të qëndrueshëm për financat publike.
Relacioni i Ministrisë e lidh kuadrin e ri me synimin për të shmangur interpretime të ndryshme dhe për të rritur kontrollin e raportimin periodik. Ai thotë se projektligji synon “rritjen e vlerës optimale të pronës shtetërore” dhe zgjidhjen e konflikteve përmes procedurave administrative dhe gjyqësore./monitor-ad
