Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore rreshtohet publikisht kundër projektit fitues për transformimin e sheshit “Nënë Tereza”, duke e konsideruar atë si një “therje urbane” të një prej kompozimeve më të rëndësishme monumentale europiane.
“Ikën keshtu sheshi ndofta më i bukur në Shqipëri… Me këtë therje urbane mu në zemer të kryeqytetit, Tirana nuk po humbet thjesht një shesh monumental, por një korpus unikal të kujtesës së saj urbane.
Sheshi ‘Nënë Tereza’, i konceptuar nga Gherardo Bosio në vitet 1940 si pjesë e një prej kompozimeve më të rëndësishme monumentale Europiane, është vetë një dokument i historisë së arkitekturës ne Shqiperi”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Siç raportoi newsbomb.al një ditë më parë, Sheshi “Nënë Tereza” pritet të ndryshojë dhe projekti i fundit synon riorganizimin e hapësirës publike dhe zhvillimin e një kompleksi të gjerë nëntokësor. Për ndërtimin e strukturave të projektit, FSHZH ka hapur procedurën e prokurimit me fond limit 2.08 miliardë lekë, mbi 21 milionë euro.
Tenderi, i çelur në Agjencinë e Prokurimit Publik, është pjesë e projektit “Ndërtimi i nyjeve multimodale të mobilitetit, Rajoni 1&2” dhe konkretisht mbulon strukturat për ndërtimin e hapësirave publike multifunksionale dhe parkimit nëntokësor në sheshin “Nënë Tereza”.
Dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore thotë se një parkim nëntokësor mund të ndërtohet edhe diku tjetër, por nëse preket projekti i Bosios i vitit 1940, ai nuk mund t’i kthehet më Tiranës.
“Ta çash këtë hapësirë për të futur parkime nën tokë do të thotë të sakrifikosh autenticitetin e një ansambli urban të pazëvendësueshem për një funksion që mund të zgjidhet fare mire edhe me alternativa të tjera.
Një qytet modern nuk matet me sa makina arrin të thithë në qendër, por përkundrazi me sa nga historia e tij arrin të ruajë dhe me si nderhyhet për të rritur kohezionin social (një ndër funksionet bazë të shesheve qytetare).”
Një parkim nëntokësor natyrisht mund të ndërtohet diku tjetër, por një vepër urbane e Gherardo Bosios e vitit 1940 nuk mund të “ndërtohet përsëri”. Tashme, kjo nuk është tjetër veçse e zakonshmja ditë e zymtë për Tiranën Historike”, përmbyllet reagimi./ad
