Pas një vere të gjatë dhe të nxehtë dhe këtyre ditëve gjithashtu të nxehta të fillim-vjeshtës, problematikat shëndetësore kanë qenë relativisht prezente për një pjesë të madhe të popullsisë.
Siç edhe njoftuan mjekja Edlira Lashi dhe farmacistja Teuta Maçi, të cilat ishin të ftuara këtë të mërkurë, më 9 shtator, në emisionin “Shije Shtëpie”, virozat kanë qenë bashkëshoqëruese gjatë gjithë sezonit, duke sjellë, përveç shqetësimeve të tjera, edhe gjendjen e dehidratimit.
“Kjo verë ka qenë e gjatë dhe e nxehtë dhe është karakterizuar nga viroza gastrointestinale që janë tipike për sezonin e verës, por në këtë verë kanë dominuar virozat të cilat kanë qenë të karakterizuara me të vjella të bollshme, me diarre, me dhimbje barku dhe me temperatura të larta. Ka pasur edhe prezencë të virozave paralele, por kryesisht dehidratim japin virozat gastrointestinale, të cilat shkakun kryesor e kanë nga viruset të cilat qarkullojnë në sezonin e verës, por edhe për shkaqe infektive, sepse temperaturat e larta duan kushte të veçanta të ruajtjes së ushqimeve dhe hidratimit si për fëmijët, adultët dhe të moshuarit.”
“Shenja kryesore që të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm, ta jep vetë organizmi, është etja. Tharja e mukozës dhe nevoja për të konsumuar lëngje, që shumë persona e neglizhojnë. Shenjë e dytë kryesore që ne mund ta vëmë re për dehidratimin është edhe frekuenca e urinimit. Personat në këtë rast kanë një ulje të frekuencës së urinimit dhe një ndryshim të ngjyrës së urinimit, pasi bëhet më e koncentruar dhe më e fortë. Një person duhet të urinojë 5-6 herë në ditë dhe, për të mbajtur një hidratim të mirë, ne sugjerojmë deri në 8 gota ujë në ditë.”
Mjekja sugjeroi se në rastin e moshave të treta, ku ndjesia e etjes nuk është e theksuar, të konsumohet çdo 1 orë nga gjysmë gote ujë.
“Të moshuarit nuk arrijnë të hidratohen siç duhet, sepse edhe vetë procesi i etjes është i dëmtuar dhe nuk arrijnë të kenë ndjesinë e etjes. Në këtë mënyrë duhet të hidratohen në mënyrë të rregullt, pa pritur të shfaqet etja, mungesa e urinimit, turbullimi, çorientimi dhe dhimbjet e lehta të kokës. Mosha e tretë është më e brishtë për sa i përket dehidratimit, sepse rëndohen sëmundjet bazë që ata kanë, si sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet renale, diabeti apo sëmundjet infektive.”
Mjekja theksoi gjithashtu se gjatë stinës së verës, moshat e treta, për shkak të dehidratimit, mund të arrijnë dhe në hipotension.
Nga ana tjetër, farmacistja Teuta Maçi pohoi se ndryshimi i dozës së medikamenteve nuk duhet bërë pa këshillën e mjekut dhe reduktimi i sasisë së marrjes së holluesve të gjakut nuk duhet të ndodhë.
“Shpeshherë dëgjoj që gjatë verës do ta ndërpres, sepse më hollohet gjaku, por në fakt është e kundërta. Pikërisht nga dehidratimi gjaku ka tendencën të trashet dhe, për pasojë, bëhet më e rëndësishme marrja e holluesve të gjakut.”/ad
