Last Updated on 10/09/2026 by Monika
Policia Rrugore ka shtuar kontrollet me pajisje inteligjente në akset kryesore dhe hyrje-daljet e qytetit të Fierit, me fokus rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.
Gjatë javës janë proceduar penalisht 6 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit. Një prej tyre drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndërsa dy të tjerë pa leje drejtimi. Tre drejtues janë proceduar për aksidente rrugore, njëri prej të cilëve është arrestuar.
Në kuadër të kontrolleve janë vendosur 942 masa administrative, nga të cilat 772 për tejkalim të shpejtësisë. Gjithashtu, janë sekuestruar dy motomjete që qarkullonin pa dokumentacion dhe targa.
Njoftimi i Policisë:
Fier/ Monitorim intensiv me pajisje inteligjente në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë kësaj jave, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për rritjen e sigurisë rrugore, janë proceduar penalisht 6 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor.
Nga këta, 1 shtetas është proceduar penalisht për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 2 shtetas të tjerë për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Të tre këta shtetas ndiqen në gjendje të lirë.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, të konstatuara në kuadër të aksidenteve rrugore. Nga këta, 1 shtetas është arrestuar dhe 2 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese, të organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej:
* 772 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, në rrugët interurbane dhe në autostradën A2;
* 29 masa administrative për mospërdorimin e rripit të sigurimit;
* 4 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
* 64 masa administrative për parakalim të gabuar;
* 2 masa administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;
* 5 masa administrative për kryerjen e manovrave të rrezikshme;
* 66 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente.
Gjithashtu, janë sekuestruar 2 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa./mxh
