A ju ka ndodhur ndonjëherë që një marrëdhënie të nisë shumë mirë, por sapo gjërat bëhen më serioze, të ndjeni nevojën për t’u larguar? Në fillim gjithçka duket ideale: ju pëlqen personi, komunikoni mirë, keni kimi, interesa të përbashkëta dhe ndiheni mirë bashkë. Por kur vjen momenti për të folur për të ardhmen dhe për ta përkufizuar marrëdhënien, diçka ndryshon.
Papritur bëheni më të ftohtë, nuk keni më dëshirë t’u përgjigjeni mesazheve dhe ndjeni një lloj presioni që nuk e kishit më parë. Në vend që të afroheni, nisni të tërhiqeni dhe, pa e kuptuar, mund të përfundoni duke sabotuar një marrëdhënie që në të vërtetë ju interesonte.
Nëse kjo situatë ju duket e njohur, mund të lidhet me frikën nga intimiteti ose angazhimi. Kjo frikë mund të ketë rrënjë të ndryshme, nga përvojat e vështira në marrëdhënie të mëparshme dhe frika e braktisjes, deri te përvojat e fëmijërisë dhe mënyra se si është mësuar të shprehen emocionet.
Sipas ekspertes së marrëdhënieve dhe martesës Alison Gomez, mënyra se si një person mëson të përballet me emocionet gjatë fëmijërisë mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e tij si i rritur. Nëse emocionet janë trajtuar si dobësi, turp ose diçka që duhet fshehur, hapja emocionale mund të bëhet veçanërisht e vështirë më vonë.
Por si ta kuptoni nëse edhe ju po e bëni këtë? Ja pesë shenja që mund të tregojnë frikë nga intimiteti:
1. I mbani të fshehura ndjenjat tuaja të vërteta
Në vend që t’i tregoni partnerit çfarë ju shqetëson, çfarë ju lëndon apo çfarë dëshironi realisht, preferoni të heshtni. Mund të përdorni sjellje mbrojtëse ose të shmangni bisedat emocionale, sepse kështu ndiheni më të sigurt.
Problemi është se kjo krijon një distancë emocionale. Mund të jeni në një lidhje për vite, por partneri të mos e njohë kurrë plotësisht versionin tuaj të vërtetë.
2. I përballoni vetëm problemet serioze
Kur diçka ju shqetëson në punë, familje apo edhe brenda vetë marrëdhënies, mund të zgjidhni të mos ia tregoni partnerit. Çdo problem mbetet “i juaji” dhe nuk lejoni që tjetri të hyjë në atë pjesë të jetës suaj.

Kjo mund të duket si një mënyrë për të ruajtur pavarësinë, por shpesh është një mekanizëm mbrojtës. Duke mos ndarë gjërat që ju shqetësojnë, shmangni edhe mundësinë për t’u ndjerë të pambrojtur.
3. Marrëdhëniet tuaja kanë tendencë të jenë të shkurtra dhe të paqëndrueshme
Nëse keni një histori me shumë marrëdhënie të shkurtra, mund të ia vlen të pyesni veten nëse po largoheni pikërisht në momentin kur lidhja nis të bëhet më serioze.
Një person që ka frikë nga angazhimi ose intimiteti mund të ndihet më rehat në marrëdhënie që nuk kërkojnë shumë afërsi emocionale. Edhe kur hyn në një lidhje afatgjatë, mund të ruajë një qëndrim të ftohtë dhe të distancuar.

4. Mbani në distancë edhe miqtë
Frika nga intimiteti nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me marrëdhëniet romantike. Ajo mund të shfaqet edhe në miqësi.
Ndoshta keni njerëz që ju duan dhe kujdesen për ju, por e keni të vështirë t’i lejoni të afrohen vërtet. Mund të shmangni bisedat e thella, të mos ndani shqetësimet tuaja ose të preferoni t’i mbani marrëdhëniet në një nivel sipërfaqësor. Intimiteti ka të bëjë me krijimin e një lidhjeje emocionale dhe kjo mund të jetë e vështirë për dikë që ka mësuar të mbrohet duke mbajtur të tjerët larg.
5. Në momentet e vështira mbylleni në vetvete
Kur gjërat ndërlikohen, reagimi juaj i parë mund të jetë të tërhiqeni. Nuk flisni me partnerin, miqtë apo familjarët dhe preferoni të përballeni vetëm me atë që po kaloni.
Të dëshironi pak kohë vetëm nuk është diçka e keqe. Të gjithë kemi nevojë për hapësirën tonë. Por nëse izolimi bëhet mënyra juaj kryesore për të përballuar emocionet dhe vështirësitë, mund të jetë një shenjë se po e keni të vështirë të lejoni të tjerët t’ju afrohen emocionalisht.
Të njohësh këto sjellje nuk do të thotë automatikisht se ke frikë nga intimiteti. Secili mund të ketë periudha kur ka nevojë për distancë ose e ka të vështirë të flasë për atë që ndjen. Por nëse i njëjti model përsëritet vazhdimisht, veçanërisht në marrëdhëniet romantike, ia vlen të ndaleni dhe të pyesni veten se çfarë fshihet pas tij.
Sepse ndonjëherë problemi nuk është se nuk doni një marrëdhënie, por se afrimiteti që ajo kërkon ju bën të ndiheni të pasigurt./k.m
