Flasim shpesh për serumet, acidet, retinoidet dhe gjithë rutinën e kujdesit të lëkurës, por një nga gjërat më të rëndësishme për një lëkurë të shëndetshme është shumë më e thjeshtë: barriera e lëkurës.
Ajo është shtresa më e jashtme e lëkurës dhe ka dy role kryesore: të mbajë lagështinë brenda dhe të pengojë irrituesit, alergjenët dhe ndotësit që të depërtojnë në lëkurë. Kur kjo barrierë dëmtohet, lëkura fillon ta tregojë shumë shpejt.
Sipas dermatologëve, këto janë shenjat më të zakonshme:
1. Skuqje dhe irritim
Nëse lëkura skuqet shpesh, kruhet ose të djeg, kjo mund të tregojë se barriera është dobësuar. Ndjesia e djegies sidomos pas aplikimit të produkteve është një sinjal që nuk duhet injoruar.
2. Tharje e pazakontë
Kur barriera nuk arrin të mbajë lagështinë, lëkura bëhet më e thatë, më e ashpër dhe mund të krijojë zona me teksturë.
3. Ndjeshmëri më e madhe se zakonisht
Produkte që më parë i toleroje mirë mund të fillojnë papritur të të irritojnë. Kjo ndodh sepse lëkura është më pak e mbrojtur ndaj përbërësve aktivë dhe faktorëve të jashtëm.
4. Djegie ose pickim nga produktet
Nëse pothuajse çdo serum apo krem të jep ndjesi pickimi, barriera mund të jetë e dëmtuar. Dermatologët këshillojnë të ndërpritet përdorimi i çdo produkti që shkakton djegie.
5. Puçrra që përkeqësohen
Edhe aknet mund të jenë një sinjal. Dermatologët vërejnë se disa persona përdorin shumë produkte aktive në përpjekje për të kontrolluar puçrrat, por përfundojnë duke dëmtuar barrierën dhe duke e përkeqësuar situatën.

Po çfarë e dëmton barrierën? Një nga arsyet më të zakonshme është pastrimi i tepërt i fytyrës, sidomos me larës të fortë ose që shkaktojnë tharje. Po aq problematik mund të jetë përdorimi i tepruar i retinoideve, acideve eksfoliuese dhe scrub-eve agresive.
Edhe faktorët e mjedisit kanë ndikim: ajri i thatë, era, temperaturat e ulëta dhe ekspozimi në diell mund ta dobësojnë barrierën. Madje edhe stresi mund të luajë rol, pasi hormonet e stresit ndikojnë te yndyrnat natyrale të lëkurës dhe te humbja e lagështisë.
Për ta rikuperuar, qasja është më e thjeshtë nga sa mendohet. Përdor një larës të butë, shmang ujin shumë të nxehtë, redukto përkohësisht produktet eksfoluese dhe retinoidet dhe zgjidh hidratues me përbërës si ceramidet dhe squalane.
Një tjetër këshillë e rëndësishme është të shmangen përkohësisht produktet me parfume, vajra esencialë ose përbërës që shkaktojnë djegie.
Në rastet e lehta, barriera e lëkurës mund të rikuperohet vetë relativisht shpejt. Nëse simptomat janë më të forta ose vazhdojnë, procesi mund të zgjasë më shumë dhe këshillojmë që të konsultoheni me një dermatolog/e./k.m
