Partia konservatore e kancelarit gjerman Friedrich Merz, CDU, ndodhet në një situatë kritike përpara zgjedhjeve rajonale në Mecklenburg-Vorpommern, që do të zhvillohen më 20 shtator.
Kandidati kryesor i CDU-së në këtë land, Daniel Peters, e cilësoi situatën si një “betejë për mbijetesë”, pasi sondazhet e fundit tregojnë se partia rrezikon të mos sigurojë as numrin minimal të votave për të hyrë në parlamentin rajonal.
Një sondazh i publikuar sot nga televizioni publik gjerman ZDF e rendit CDU-në me vetëm 7% të mbështetjes.
Ky do të ishte rezultati më i dobët i partisë në një zgjedhje në Gjermaninë e pasluftës dhe e lë atë vetëm pak mbi pragun elektoral prej 5%.
Në krye të sondazheve qëndron partia e ekstremit të djathtë, AfD, me 37% të votave.
AfD vjen pas një fitoreje të thellë në zgjedhjet e fundit në landin fqinj Saksoni-Anhalt.
Ndërkohë, socialdemokratët e SPD-së kanë rikuperuar ndjeshëm dhe renditen me 34%, nën drejtimin e kryeministres aktuale të Mecklenburg-Vorpommern, Manuela Schwesig.
Peters është përpjekur të distancohet publikisht nga kancelari Merz, në një kohë kur popullariteti i këtij të fundit ka rënë ndjeshëm.
Ai konfirmoi se nuk do të ketë më aktivitete të përbashkëta elektorale me Merz para votimit.
Kancelari Merz ka zhvilluar vetëm një aktivitet publik në këtë land gjatë fushatës, javën e kaluar në Kuhlungsborn, ku u prit me protesta, fishkëllima dhe thirrje kundër tij.
“Njerëzit këtu janë shumë të zhgënjyer nga politika kombëtare dhe ne po vuajmë si pasojë”, tha Peters.
Zgjedhjet në Mecklenburg-Vorpommern do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet rajonale në Berlin, ku CDU-ja po përballet gjithashtu me një garë të fortë trepalëshe me AfD-në dhe partinë e Majtë për kontrollin e kryeqytetit gjerman./mxh
