Pas 17 vitesh heshtjeje, familjarët e të ndjerit Fran Konomi kanë vendosur të flasin publikisht për herë të parë në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, me juristen Eni Çobani.
Djali i tij, Xhoni, së bashku me nënën e tij, Rovenën, kanë rrëfyer jo vetëm detaje dhe dhimbjen e mbetur pas vrasjes së bujshme të Fran Konomit, por edhe një tjetër dramë të rëndë familjare, e cila ka prekur drejtpërdrejt vajzën e familjes.
Mes lotësh dhe emocionesh të forta, Xhoni ka treguar se prej 17 vitesh jeton me dhimbjen e humbjes së të atit. Por rrëfimi i tij nuk është ndalur vetëm te kjo tragjedi. Ai ka deklaruar se edhe vetë ka qenë në shënjestër të grupeve kriminale, duke bërë të ditur se ndaj tij janë kryer dy atentate.
Xhoni: Nuk po dal vetëm për të drejtën e vetes time, por edhe për të motrës sime. Po dal për një shkak që është prej 17 vitesh, një dhimbje që nuk e di asnjë njeri.
Ardit Gjebrea: Çfarë do me thënë?!
Xhoni: Që mua ma kanë vrarë babin prej 17 vitesh. Babi im quhej Franc Konomi, unë jam djali i Franc Konomit, që kurrë nuk kisha të drejtën për t’i thënë vetes që unë isha gjaku i atij. Pse?! Kur më vranë babin deshën që të më vrisnin edhe mua dy herë. Zoti e di që më ka mbrojtur, nuk është njeriu më i madh se Zoti. Ajo që bëhet, bëhet vetëm sepse do Zoti, asnjë njeri tjetër nuk ka fuqi në këtë botë. Unë e di kjo deshi që të më mbronte mua. Më tha që ‘mos u merr me këto punë, lëri mbrapa’. Unë nuk e përballova dot atë dhimbje dhe doja që të vrisja veten. Desha që të mbysja veten me lloj-lloj mënyrash që ju nuk ia keni idenë. Por, nuk ka dashur Zoti që të më marrë, nuk ka dashur. Kam dashur që të iki, sepse nuk e përballoja dot. Unë jam rritur vetëm me femra në familjen time, nuk e kam pasur një burrë që të më tregonte se si të rruhesha apo të sillesha
Eni Çobani: Ai iku shumë shpejt.
Xhoni: Iku që kur unë isha 15 vjeç, unë e shikoja babin vetëm gjashtë javë në verë, asnjë gjë.
Franc Konomi u qëllua me 10 plumba për vdekje më 8 korrik të vitit 2010, në afërsi të “Pazarit të Ri”. Ai u gjet i vrarë në makinën e tij tip “Mercedez Benz”, ngjyrë e zezë. Franc Konomi ishte personi i fundit i mbetur gjallë nga ai grup të rinjsh që në Tiranë konsideroheshin “të fortë” e bënin ligjin në vitet ’90./mxh
