Arben Malaj mbështet kërkesat e magjistratëve për pagat, duke theksuar se e drejta e tyre konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në një reagim mbi debatin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Malaj ka kritikuar fushatën denigruese ndaj magjistratëve përmes krahasimeve të pagave, duke argumentuar se një qasje e tillë nuk është në favor të qeverisë.
“Krahasoni pagat e ministrave dhe deputetëve të Shqipërisë me vendet e tjera dhe do të shikoni se ato janë më të larta”, është shprehur Malaj, duke shtuar se diferenca mes pagave të larta dhe pagës mesatare arrin nga 420 deri në rreth 480 për qind.
Sipas tij, thelbi i debatit nuk qëndron te shifrat, por te respektimi i pavarësisë dhe autonomisë financiare të gjyqësorit, veçanërisht kur bëhet fjalë për uljen, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të një niveli page të përcaktuar me ligj.
Malaj argumenton se pavarësia financiare e gjyqësorit materializohet përmes garancive normative dhe procedurale që e mbrojnë pushtetin gjyqësor nga përdorimi i buxhetit si mjet presioni politik apo hakmarrjeje institucionale nga ekzekutivi dhe legjislativi. Sipas tij, kjo autonomi duhet të garantohet përmes disa mekanizmave, përfshirë të drejtën e organeve të vetëqeverisjes gjyqësore, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, për të hartuar dhe mbrojtur drejtpërdrejt kërkesat buxhetore në Kuvend, duke kufizuar ndërhyrjet diskrecionale të Ministrisë së Financave.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas Malajt, është mbrojtja e pagave të gjyqtarëve nga uljet e pajustifikuara, në mënyrë që politikat e pagave të mos përdoren si instrument ndëshkimi apo disiplinimi indirekt nga mazhorancat politike. Ai propozon gjithashtu përcaktimin me ligj të një pragu minimal financimi për pushtetin gjyqësor, si dhe garantimin e autonomisë së brendshme në shpërndarjen dhe ekzekutimin e buxhetit.
Ndërsa Kuvendi miraton fondet për pushtetin gjyqësor, shpërndarja e brendshme e burimeve për gjykatat, infrastrukturën dhe digjitalizimin, sipas këtij argumentimi, duhet të mbetet përgjegjësi e vetë sistemit gjyqësor.
Malaj thekson se autonomia financiare nuk nënkupton imunitet nga llogaridhënia publike. Ajo duhet të shoqërohet me auditim të jashtëm financiar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili verifikon rregullsinë dhe ligjshmërinë e shpenzimeve pa cenuar pavarësinë e vendimmarrjes gjyqësore. Po ashtu, kërkesat për fonde shtesë duhet të mbështeten në tregues objektivë, si ngarkesa e gjyqtarëve, ulja e prapambetjes së çështjeve dhe shpejtësia e dhënies së drejtësisë.
Në përfundim, Malaj argumenton se debati për pagat e magjistratëve duhet të trajtohet përmes parimeve të shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke garantuar njëkohësisht pavarësinë financiare dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor./ad
