Last Updated on 14/09/2026 by EL
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje rivalëve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar ditën e hënë, Kurti deklaroi se do të ishte “e pafalshme” që vendi të shkonte sërish në zgjedhje të parakohshme për shkak të kësaj çështjeje.
Kuvendi i Kosovës rizgjodhi Kurtin si kryeministër të dielën, por dështimi për të zgjedhur presidentin e ri do ta çonte vendin ne zgjedhje për herë të katërt në dy vitet e fundit. Kurti ka shprehur shqetësimin për qëndrimin e disa deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur mes dy subjekteve politike. Zgjedhjet sipas Kurtit nuk do të sillnin asgjë të re.
“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, deklaroi Kurti.
Në fund të gushtit, Kurti arriti marrëveshje me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mbështetur emrin Bekim Sejdiun për president të ri të Kosovës. Megjithatë, një ditë më vonë, gjashtë nga 18 deputetet LDK-së thanë se do të shpërfillnin vendimin e liderit të partisë së tyre, Lumir Abdixhiku. Edhe në mbledhjen e parë të qeverisë, kryeministri Kurti i kushtoi një pjesë të mesazhit, procesit gjyqësor në Hagë, ku tha se pret qe vendim I shpallur të mërkurën jetë i drejtë dhe që ish-krerët e UÇK të kthehen të lirë në Kosovë.
“Pasnesër, pas 2 ditësh, Kosova, ne të gjithë presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Vesi për ne është gjithçka e qartë: populli i Kosovës rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare, dhe kundrejt një pushtuesi. I cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pranë familjeve”, tha Kurti.
Procesi gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit, e Selimit në Hagë ku janë të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit ka mbërritur në fund pas 3 vitesh, teksa Kosova ka nisur numërimin mbrapsht për vendimin e 16 shtatorit. /ET
