Last Updated on 15/09/2026 by Klara
Një ditë pas protestës te ‘Rruga e Durrësit’ policia ka arrestuar 12 persona ndërkohë 15 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.
Të arrestuarit janë organizatori Visuar Dalipi, Ermelind Kuka, Dorjan Balla, Artan Daci, Ervis Beqaj, Ramazan Dauti, Bekim Imeraj, Visuar Dalipi, Axhim Micalliu, Aleandro Ahmetsulaj, Ridvan Kamberi, Klodian Bajrami dhe Enrik Xhemalaj.
Mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:30, ata u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa lejen përkatëse njofton policia.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 14.09.2026:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 19 vjeç; D. B., 36 vjeç; A. D., 41 vjeç; E. B., 36 vjeç; R. D., 31 vjeç; B. I., 37 vjeç; V. D., 29 vjeç; A. M., 20 vjeç; A. A., 56 vjeç; R. K., 63 vjeç; K. B., 24 vjeç dhe E. Xh., 39 vjeç;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. B., 32 vjeçe; B. K., 27 vjeç; A. Zh., 26 vjeç; S. E., 32 vjeç; M. R., 28 vjeç; A. P., 49 vjeç; L. B., 39 vjeç; K. N., 20 vjeç; F. K., 34 vjeç; E. N., 33 vjeç, A. D., 23 vjeç, E. P., 31 vjeç, L. P., 26 vjeç, M. P., 18 vjeç, dhe I. M., 28 vjeç.
Më datë 14.09.2026, rreth orës 07:30, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa lejen përkatëse, dhe vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit, ku ndaluan pranë një gjimnazi duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin, duke cënuar perimetrin e sigurisë në shkollë.
Pavarësisht thirrjeve të punonjësve të Policisë për largimin nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për lirmin e trotuarit për kalimin e qytetarëve, disa prej pjesëmarrësve në tubim nuk iu bindën urdhrave dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”./k.m
