Gazetari dhe publicisti Aleksandër Çipa ka reaguar me një mesazh të ndjerë pas lajmit për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, duke i kushtuar fjalë të veçanta figurës së saj dhe kontributit të saj njerëzor e kombëtar.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Çipa shpreh dhimbjen për humbjen e saj, ndërsa e cilëson Flora Brovinën si një grua që, sipas tij, mishëronte vlera të jashtëzakonshme njerëzore, heroizëm dhe qëndresë.
“Lamtumirë mikja ime që vlen sa historia! Nuk do të të harroj kurrë!!!!!”, shkruan Aleksandër Çipa në nisje të mesazhit të tij.
Më tej, ai e ngre figurën e Brovinës në simbol të përkushtimit ndaj kombit, duke vlerësuar njëkohësisht edhe dimensionin e saj njerëzor e intelektual.
“Tek ju, Zonjë e Atdheut, ishin të gjitha: heroizmi, madhështia njerëzore, qëndresa titanike, shpirti i pasur me gjithë pasuritë e të mirave njerëzore, talenti për shkrimtari dhe mbi gjithëçka: Jeta jote ishte prova e dhënë maksimalisht për kombin.”
Për Çipën, largimi i Flora Brovinës është një humbje që lë pas një boshllëk të madh, por edhe një trashëgimi që, sipas tij, do të mbetet e gjallë në kujtesën e atyre që e njohën dhe në historinë e kombit.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, gazetari i drejtohet me përulësi figurës së Brovinës, duke e cilësuar “fisnikja jonë” dhe duke i uruar prehje në paqe.
“Të përulem fisnikja jonë, Flora Brovina! U prehsh në paqe, o shpirt me dritë në univers!!!!”
Mesazhi i Aleksandër Çipës përcjell dhimbjen personale për humbjen e një mikeje, por edhe vlerësimin për një figurë të cilën ai e sheh si të lidhur ngushtë me historinë, qëndresën dhe përkushtimin kombëtar./k.m

