Last Updated on 15/09/2026 by Monika
Kërkesa për ekstradimin e Ervin Matës nga Brazili drejt Shqipërisë është miratuar nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit.
Sipas vendimit të publikuar, ekstradimi i Matës është miratuar në seancat e zhvilluara nga data 14 deri më 21 gusht.
Kujtojmë se Ervin Mata u vu në pranga në prill të këtij viti në bregdetin e San Paulo-s pasi informacionet e inteligjencës tregonin se ai kishte udhëtuar nga rajoni Baixada Santista në bregdetin verior.
Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme e shpalli Ervin Matën në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut. Po ashtu Ervin Mata akuzohet edhe për veprat penale të vrasjes dhe pastrimit të parave. Katër dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë, janë bërë objekt i hetimit të prokurorisë së posaçme SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.
Bëhet fjalë për një sasi prej 931 kg kokainë dhe lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, që janë kapur në katër shtete dhe SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Europë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata./mxh
