Autoritetet federale të martën njoftuan se shërbimet e inteligjencës ruse po komplotojnë për të kryer vrasje të synuara në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet evropiane që mbështesin Ukrainën. Ata njoftuan akuza kundër pesë personave që mbeten të lirë.
Një aktakuzë e zbuluar në gjykatën federale të Manhattanit tha se një rrjet i shërbimeve të inteligjencës kishte paguar dhe ishte përpjekur të paguante individë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera për të mbikëqyrur objektivat që do të vriteshin, me plane për t’i vrarë më pas ata.
Bashkëpunëtorët e rekrutuar në rrjet ishin gjithashtu të ftuar të kryenin akte terrorizmi kundër infrastrukturës civile dhe ushtarake në vendet evropiane që perceptoheshin si të lidhura me Ukrainën, tha aktakuza.
Sipas njoftimit, një rrjet njerëzish që punonin për shërbimet e inteligjencës së Federatës Ruse kishin komplotuar që të paktën nga viti 2024 për të kryer sulme dhe vrasje në të gjithë botën, përfshirë brenda Shteteve të Bashkuara.
Më parë, thuhej në njoftim, rrjeti ishte përqendruar te disidentët dhe dezertorët rusë, por së fundmi kishte shënjestruar kombe që perceptoheshin si aleate të Ukrainës.
Autoritetet thanë se rrjeti këtë verë rekrutoi një individ me bazë në Shtetet e Bashkuara për të mbikëqyrur dhe vrarë një disident të shquar rus që besohej se banonte në Shtetet e Bashkuara.
Aktakuza thoshte se një person i identifikuar vetëm si “Banor i SHBA-së-1” ishte dërguar në dy vende të lidhura me viktimën e synuar dhe iu dhanë “udhëzime të qarta se si të kryente mbikëqyrje”, ndërsa iu premtuan 1,000 dhe 1,500 dollarë për të kryer punën.
Pasi kreu mbikëqyrjen dhe i dha njërit prej burrave të akuzuar në aktakuzë fotografi dhe video të shumta të vendeve të lidhura me viktimën e synuar, banori amerikan refuzoi 40,000 dollarët që iu ofruan për të “eliminuar” ose “zhdukur” objektivin përmes vrasjes.
“Kur oferta u refuzua, anëtari i shërbimeve të inteligjencës që e kishte bërë atë u përpoq të rekrutonte disa persona të tjerë brenda Shteteve të Bashkuara për të bërë punën duke u ofruar atyre shuma të konsiderueshme parash,” tha aktakuza./ad
