Last Updated on 16/09/2026 by Anisa
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim për krime lufte.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vengu e cilëson vendimin për krijimin e Gjykatës Speciale si të gabuar dhe shprehet se kjo gjykatë është kthyer, sipas tij, në “strehë të padrejtësisë”.
“Është tashmë e qartë për të gjithë se sa i gabuar ishte vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila sot u bë streha e padrejtësisë”, shkruan Vengu.
Deputeti socialist kundërshton gjithashtu faktin që vendimi është dhënë nga një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës.
“Ishte rrëqethëse t’i dëgjoje këto dënime të shqiptoheshin ‘në emër të popullit të Kosovës’. Një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës dhe pa gjyqtarë nga Kosova përdori emrin e popullit të saj për të dënuar luftëtarët e pavarësisë sonë të dytë”, shprehet ai.
Vengu e vendos vendimin në kontekstin e luftës së Kosovës, duke argumentuar se Kosova ishte viktima, Serbia e Millosheviçit agresori, ndërsa UÇK-ja luftoi për liri. Ai përmend gjithashtu ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund spastrimit etnik.
Në reagimin e tij, deputeti i PS-së shprehet në mbështetje të katër të dënuarve dhe familjeve të tyre, ndërsa kërkon që vendimi të kundërshtohet në procesin e apelimit.
“Këto dënime duhet të rrëzohen në apel. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, duhet të ndërmarrin çdo hap të mundshëm ligjor dhe institucional”, shkruan Vengu.
Ai thekson se mbështetja ndaj Perëndimit nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë asaj që e konsideron padrejtësi.
“Besnikëria jonë ndaj Perëndimit nuk kërkon heshtje përballë padrejtësisë. Ajo kërkon besnikëri ndaj vetë parimeve mbi të cilat Perëndimi është ngritur: lirisë, barazisë dhe drejtësisë”, shprehet Vengu. Në përfundim, ai deklaron: “Historia e shqiptarëve nuk mund të falsifikohet në sallat e gjyqit”.
Reagimi i plotë
Është tashmë e qartë për të gjithë se sa i gabuar ishte vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila sot u bë streha e padrejtësisë.
Ishte rrëqethëse t’i dëgjoje këto dënime të shqiptoheshin “në emër të popullit të Kosovës”. Një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës dhe pa gjyqtarë nga Kosova përdori emrin e popullit të saj për të dënuar luftëtarët e pavarësisë sonë të dytë.
81 vjet burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Radovan Karaxhiçi, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, mori 40 vjet në shkallë të parë. #JoNëEmrinTim!
Drejtësia nuk mund të shpallë faj duke e shkëputur çështjen nga konteksti historik: Kosova ishte viktima. Serbia e Millosheviçit ishte agresori. UÇK-ja luftoi për liri. NATO ndërhyri për t’i dhënë fund spastrimit etnik.
Sot mendimet e mia shkojnë te katër të dënuarit dhe familjet e tyre, që prej afro gjashtë vitesh përballojnë peshën e rëndë të këtij procesi. U qëndrojmë pranë.
Besnikëria jonë ndaj Perëndimit nuk kërkon heshtje përballë padrejtësisë. Ajo kërkon besnikëri ndaj vetë parimeve mbi të cilat Perëndimi është ngritur: lirisë, barazisë dhe drejtësisë.
Këto dënime duhet të rrëzohen në apel. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, duhet të ndërmarrin çdo hap të mundshëm ligjor dhe institucional.
Historia e shqiptarëve nuk mund të falsifikohet në sallat e gjyqit.
