“Ata që po ndërtojnë inteligjencën artificiale besojnë seriozisht se ajo mund të na vrasë të gjithëve deri në fund të kësaj dekade. Kjo nuk është një strategji marketingu.”
Deklarata, e bërë nga një ish-punonjës i kompanisë Anthropic, ka rikthyer debatin mbi rreziqet e inteligjencës artificiale dhe deri ku mund të shkojë zhvillimi i saj.
Sipas tij, edhe pse drejtuesit dhe studiuesit e lartë të kompanive të teknologjisë zgjedhin shpesh një gjuhë më të kujdesshme në publik, privatisht frika për pasojat e zhvillimit të AI është shumë më e madhe.
Por a kemi të bëjmë vërtet me një kërcënim ekzistencial apo me një tjetër valë të “marketingut të frikës”?
Këtë pyetje e ka trajtuar edhe emisioni italian “News dal Pianeta Terra”, i cili ia ka drejtuar çështjen Diletta Huyskes, studiuese e etikës së teknologjive dhe ndikimit social të inteligjencës artificiale.
Sipas Huyskes, deklaratat për një fund të mundshëm të njerëzimit nga AI janë dëgjuar prej vitesh dhe janë kthyer në një lloj narrative të përsëritur.
“Jemi brenda marketingut të frikës, të apokalipsit dhe të zhdukjes, të cilin kompanitë e teknologjisë kanë padyshim interes ta mbajnë gjallë”, argumenton ajo.
Studiuesja thekson se kjo nuk do të thotë se inteligjenca artificiale nuk paraqet rreziqe. Përkundrazi, sipas saj, problemet reale lidhen me përjashtimin social, kostot, ndikimin në mënyrën se si mendojmë, pasojat sociale dhe ndikimin klimatik të teknologjive të reja.
Pikërisht këtu qëndron edhe debati: duke u përqendruar te skenarët ekstremë të një katastrofe të mundshme në të ardhmen, vëmendja mund të largohet nga problemet që AI po krijon tashmë.
Huyskes argumenton gjithashtu se deklaratat katastrofike mund të ndikojnë në mënyrën se si rregullohet sektori. Sipas saj, duke e zhvendosur vazhdimisht rrezikun drejt një të ardhmeje gjithnjë e më të largët, krijohet ideja se ai është më pak i kontrollueshëm dhe se ndërhyrja ligjore mund të shtyhet.
Debati mbetet i hapur. Ekzistojnë studiues dhe drejtues të teknologjisë që paralajmërojnë për rreziqe shumë serioze nga zhvillimi i sistemeve gjithnjë e më autonome të AI, ndërsa të tjerë i konsiderojnë skenarët e zhdukjes së njerëzimit të ekzagjeruar dhe të dobishëm për të krijuar frikë.
Ajo që është e sigurt është se inteligjenca artificiale po zhvillohet me shpejtësi dhe po prek tashmë punën, arsimin, informacionin, ekonominë dhe mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me teknologjinë. Pyetja nuk është vetëm nëse AI mund të bëhet një kërcënim ekzistencial, por edhe se si shoqëria do të zgjedhë ta kontrollojë dhe përdorë atë sot./ad
