Irani i dha të enjten një diplomati suedez në Teheran 48 orë kohë për të lënë vendin, pasi Suedia dëboi një punonjës nga ambasada iraniane në Stokholm.
Ambasadori suedez u thirr në ministrinë e Jashtme në Teheran, ku iu paraqit një notë proteste kundër vendimit të Suedisë, i cili sipas ministrisë është “i pajustifikuar dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror.
Autoritetet suedeze akuzoi të mërkurën Iranin se prej kohësh “ka kryer aktivitete që kërcënojnë sigurinë në dhe kundër Suedisë, duke shënjestruar individë që kundërshtojnë regjimin iranian si dhe interesa të ndryshme hebraike dhe izraelite në vendin tonë”.
Irani i cilësoi akuzat si “të pabaza”.
Suedia ka një komunitet të madh iranian, përfshirë kundërshtarë të regjimit që jetojnë në mërgim. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara prej disa vitesh.
Në mars, Irani ekzekutoi një shtetas iraniano‑suedez me akuzën e spiunazhit për Izraelin, armikun e betuar të republikës islamike. Një tjetër iraniano‑suedez, Ahmadreza Djalali, është i burgosur në Iran prej më shumë se 10 vitesh. Ai u dënua në vitin 2017 për bashkëpunim me agjencinë e spiunazhit izraelit Mossad.
Irani nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë.
Shërbimi i Sigurisë së Suedisë më herët ka akuzuar Iranin se ka rekrutuar anëtarë të bandave kriminale për të kryer “akte dhune” kundër interesave izraelite dhe të tjera në Suedi, një pretendim që Irani e ka mohuar.
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, disa interesa izraelite në Suedi janë shënjestruar, sipas qeverisë suedeze. Në shkurt 2024, policia gjeti një granatë që ishte hedhur në oborrin e ambasadës izraelite në Stokholm./mxh
