Entuziazmi po rritet në Francë, ndërsa vendi përgatitet të presë Papa Leonin nga 25 deri më 28 shtator. Parisi, Lourdes dhe Metz do të jenë tre ndalesat e vizitës së tij.
Në kryeqytet, përgatitjet kanë nisur prej ditësh. Në sheshin përpara Notre-Dame, në rrugët e Parisit dhe në zonat ku pritet të kalojë Papamobili, janë vendosur pankarta mirëseardhjeje.
“Kur shoh se si preken zemrat nga ajo që ky Papë përfaqëson për ta dhe mezi presin ta dëgjojnë, ta shohin dhe të marrin mesazhin e tij, për mua kjo pasqyron një etje të thellë për shpirtëroren në vendin tonë. Dhe besoj se, përtej rrethit të besimtarëve, kjo vizitë është tashmë diçka madhështore, qoftë edhe vetëm nga përgatitjet dhe entuziazmi që ka ngjallur”, tha kryetari i konferencës së Ipeshkvijve të Francës, Jean-Marc Aveline.
Për disa besimtarë, kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.
“Do t’i përkushtohem plotësisht vizitës së tij. Mora një ditë pushim për të parë Papamobilin dhe për të qenë në stadiumin kombëtar, në vigjiljen me të rinjtë”, tha një grua.
Një nga momentet më të mëdha të vizitës në Paris pritet të jetë mesha në ajër të hapur, në zonën e Place de la Concorde dhe Champs-Élysées.
Organizatorët presin pjesëmarrjen e një numri shumë të madh njerëzish, ndërsa dhjetëra mijëra persona janë regjistruar paraprakisht.
Në axhendë është edhe takimi me Presidentin Emmanuel Macron, ndërsa në UNESCO Papa Leoni pritet të mbajë një fjalim mbi inteligjencën artificiale.
“Do të ketë një diversitet të madh. Të rinj, klerikë, përfaqësues të zgjedhur, përfaqësues të shtetit, të sëmurë, persona me aftësi të kufizuara dhe publikun e gjerë. Është shumë e rëndësishme që të gjithë, përfshirë parizienët dhe turistët, të mund të vijnë për të përshëndetur Atin e Shenjtë”, tha përgjegjësi për organizimin e vizitës, Monsinjor Benoit Bertrand.
Pas Parisit, Papa Leoni do të udhëtojë drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë.
Ndalesa e fundit do të jetë Metz, në lindje të Francës, pranë kufirit me Gjermaninë. Atje Papa pritet të marrë pjesë në një takim ndërfetar dhe të flasë për Evropën dhe unitetin e saj.
Në katedralen Saint-Étienne do të kremtojë meshën, ndërsa vizita do të mbyllet me një mesazh që synon të kapërcejë kufijtë e Kishës dhe t’i drejtohet një shoqërie franceze që, sipas drejtuesve të saj katolikë, po shfaq një interes të ri për çështjet fetare./mxh
