Last Updated on 18/09/2026 by EL
Mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Sllovenisë u diskutuan në forumin e biznesit “Slovenia–Albania: An Economic Bridge”, zhvilluar në kuadër të MOS Fair 2026 në Celje.
Në aktivitet mori pjesë drejtoresha ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, e cila diskutoi mbi potencialin për zgjerimin e partneriteteve dhe nxitjen e investimeve mes dy vendeve.
Gjatë vizitës, Saro zhvilloi edhe një takim me Leon Korošec, sekretar shteti në Ministrinë sllovene të Ekonomisë, Punës dhe Sportit. Në fokus ishin sektorët me potencial për investime në Shqipëri, veçanërisht turizmi malor, ndërsa u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit mes AIDA-s dhe SPIRIT Slovenia.
Pala sllovene shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në forume dhe aktivitete të rëndësishme ekonomike që do të zhvillohen në Tiranë.
Një tjetër sektor i diskutuar ishte industria e përpunimit të drurit, me theks te shkëmbimi i njohurive, inovacioni, produktet me vlerë të shtuar dhe mundësitë që ofron tregu shqiptar.
Forumi u organizua nga SPIRIT Slovenia dhe Instituti për Zgjidhje Strategjike (ISR), duke synuar krijimin e lidhjeve të reja mes komuniteteve të biznesit të Shqipërisë dhe Sllovenisë./et
