Gazetarja Klodiana Lala ka folur ditën e sotme për hetimet e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e pagave të sistemit të drejtësisë.
Në një dalje televizive, Lala u shpreh se SPAK ka bërë sekuestrime dhe hetime në Ministrinë e Financave, ndërsa tha më tej se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë rreth funksionarëve të lartë financiare.
“SPAK ka marrë në pyetje drejtoreshën e Thesarit, ka bërë sekuestrime e hetime në Ministrinë e Financave, në degën e Thesarit. Pra kemi një angazhim maksimal nga SPAK për çështjen e pagave. Unë mendoj që sigurisht është një hetim i çelur për shpërdorimet e tyre mbi bazën e një kallëzimi të bërë ndaj ministrit të Financave, Malaj, por edhe një sërë zyrtarëve të tjerë përfshirë sekretarin e përgjithshëm, drejtoreshën e degës së Thesarit e të tjerë me radhë”, u shpreh gazetarja.
Ndër të tjera, Lala tha se kryeministri Edi Rama bëri një puç institucional duke mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Ajo çfarë lë një shije të hidhur është që së pari Rama bëri një puç institucional duke mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarët kanë të drejtën e tyre dhe mundësinë e tyre për të folur. Së dyti, më duket që zoti Rama gjithë këtë histori e bëri qëllimisht për shkak të halleve shumë të mëdhaja që ka, për shkak të skandaleve që po dalin për KAYO-n, për shkak të audio-përgjimeve që ka publikuar Arben Ahmetaj, dyshime se mund të ketë patur trafik të armëve e të tjerë me radhë”, tha ajo./mxh
