Skënderbeu barazoi 1-1 ndaj Vorës, në sfidën e javës së pestë në Superiore. Një përballje e luftuar nga të dyja ekipet, që në fund u detyruan të ndajnë nga një pikë.
Pjesa e parë foli më shumë për Vorën, që kaloi në avantazh në minutën e 33-të, me një supergol të shënuar nga Bernard Karrica.
Në fraksionin e dytë, Skënderbeu ishte më kërkues, por vuajti në metrat e fundit. Vora mbeti më 10 lojtarë në minutën e 63-të, pas ndëshkimit me të kuq të Kasharit. Pavarësisht protestave të vendasve, arbitri nuk e ndryshoi vendimin.
Në shtesë, arbitri u thirr nga VAR-i dhe akordoi penallti për Skënderbeun, të cilën e ktheu në gol Bismark.
Me këtë barazim, Vora mban vendin e tetë me katër pikë, ndërsa Skënderbeu renditet në vendin e parafundit me tre pikë të grumbulluara./mxh
