Dinamo arriti fitoren e katërt radhazi në Kategorinë Superiore pasi mposhti Laçin me rezultatin 3-1 në “Elbasan Arena”.
Lorran kaloi blutë në avantazh në minutën e 22-të, por kurbinasit barazuan shpejt shifrat me anë të Gamarra-s tri minuta më pas.
Ndeshja mori kthesë në minutën e 42-të, kur autorit të golit të Laçit, Gamarra, iu dha karton i kuq pas rishikimit me VAR për një faull si lojtar i fundit.
Në pjesën e dytë, Dinamo shfrytëzoi superioritetin numerik dhe riktheu avantazhin me golin e Lorenco Vilës në minutën e 55-të.
Laçi iu afrua barazimit në fundin e ndeshjes kur Azizi goditi shtyllën nga goditja e dënimit, por blutë vulosën fitoren në minutën e 94-të falë një goli të Ruçit pas kundërsulmit të nisur nga Ferruku.
Pavarësisht protestave të miqve për faull në fillim të aksionit, goli u konfirmua i rregullt nga arbitri.
Me këtë sukses, Dinamo mban vendin e dytë me 12 pikë, ndërsa Laçi renditet në vendin e katër me shtatë pikë./mxh
