Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të formojë një “forcë të inteligjencës artificiale”, pasi shumë njerëz, përfshirë ata nga brenda industrisë, kanë dhënë alarmin së fundmi për rreziqet e Inteligjencës Artificiale që vazhdojnë të rriten pa kontroll.
Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Trump tha se së shpejti do të shpallë një “Car” të inteligjencës artificiale për të udhëhequr forcën.
Presidenti amerikan, i cili ka gëzuar një marrëdhënie të ngushtë me shefat e mëdhenj të teknologjisë, veçanërisht gjatë mandatit të tij të dytë në detyrë, u zotua gjithashtu të mos pengojë ose shtypë në asnjë mënyrë rritjen e kësaj industrie të jashtëzakonshme, duke iu referuar inteligjencës artificiale.
Ai e përshkroi inteligjencën artificiale si revolucionin e ardhshëm industrial, duke parashikuar se do të përbëjë 25% të PBB-së së SHBA-së.
Trump e krahasoi kritikën për rritjen e pakontrolluar dhe ultra të shpejtë të inteligjencës artificiale me atë që ai e quajti “mashtrime” të tjera, duke renditur si shembuj përpjekjet për ta shkarkuar atë, të drejtat e transgjinorëve dhe ngrohjen globale.
“Ne nuk do ta pengojmë ose shtypim në asnjë mënyrë rritjen e kësaj industrie të jashtëzakonshme. Përkundrazi, do ta vlerësojmë, do ta ndihmojmë dhe do ta mbikëqyrim, ndërsa ajo rritet! Megjithatë, ne do të kërkojmë edhe të KEQEN, dhe mund ta bëjmë këtë, shumë lehtë, me Sistemin tonë ekzistues të Drejtësisë Penale dhe Civile. Për këtë qëllim, unë po formoj Forcën e IA-së, ashtu siç bëra me Forcën Hapësinore, e cila ka qenë një SUKSES i jashtëzakonshëm, në Mandatin tim të Parë. Për këtë qëllim, unë do të shpall, në të ardhmen e afërt, “Carin” e IA-së. Vetëm individët me IQ të Lartë duhet të aplikojnë! IA është Revolucioni i ardhshëm Industrial, ose Interneti, por do të jetë edhe më i madh dhe më me ndikim, ndoshta deri në 25% të PBB-së së vendit tonë. Ne po udhëheqim Kinën dhe pjesën tjetër të botës, dhe kam ndërmend ta mbaj kështu”, thuhet në postimin e Trump./mxh
