“Fyerje për viktimat e Vojisllav Sheshelit”.
Me këto fjalë, Marko Millosavleviç, nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), e vlerëson listën e përbashkët parazgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), që është në pushtet në Serbi, dhe Partisë Radikale Serbe (SRS), të cilën Sheshel e themeloi në fillim të viteve ‘90.
Sheshel është dënuar me vendim të formës së prerë për krime lufte, përkatësisht nxitje të përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina.
Në listën e kandidatëve të propozuar për deputetë nga Partia Përparimtare Serbe, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, janë përfshirë disa anëtarë të SRS-së ultranacionaliste të Sheshelit.
Mes tyre është edhe Vjerica Radeta, ekstradimin e së cilës e kërkon Mekanizmi Rezidual në Hagë, në procedurën për shpërfillje të Tribunalit.
Mekanizmi Rezidual nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar bashkëpunimin parazgjedhor të SNS-së me radikalët dhe kandidimin e Radetës për deputete.
Dy partitë bashkëpunojnë prej vitesh në nivel lokal, por kjo është hera e parë që garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare që nga themelimi i Partisë Përparimtare Serbe më 2008, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve u largua nga partia e radikalëve të Sheshelit.
Radikalët sot janë një parti haptazi proruse dhe angazhohen për ndërprerjen e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian – gjë që bie ndesh me politikën zyrtare të përparimtarëve në pushtet.
Serbia e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012.
Çfarë thonë radikalët dhe përparimtarët?
Në fillim të shtatorit, radikalët njoftuan se organet e partisë kishin vendosur që SRS-ja të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në kuadër të listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar” dhe ta mbështesë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për kryeministër të ardhshëm.
Sipas tyre, partia e mori këtë vendim e udhëhequr nga “politika shtetformuese, në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”, si dhe të “ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Serbisë”.
Kryetari i partisë në pushtet, Millosh Vuçeviç, e përshkroi këtë si “bashkim të të gjitha forcave atdhetare dhe patriotike në një listë” në një postim në rrjetin social X.
Ai shtoi se një veprim i tillë i SNS-së tregon “përgjegjësi maksimale ndaj shtetit në një kohë kur Serbia përballet me presione të paprecedenta gjeopolitike”./ad
