Jonida Maliqi ka folur për herë të parë kaq hapur për marrëdhënien e saj me Alessio Alian, ish-konkurrentin e “Big Brother VIP Albania 5”, me të cilin është përfolur prej kohësh se ka një lidhje. Këngëtarja ishte e ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ku bisedoi me Stenaldo Mëhillin dhe, këtë herë, nuk iu shmang pyetjeve për jetën e saj sentimentale.
Dyshimet për një marrëdhënie mes Jonidës dhe Alessios kanë qarkulluar prej kohësh, ndërsa së fundmi ata u fotografuan bashkë në dasmën e Kides. Pikërisht këto foto u bënë shkak që Stenaldo ta pyeste drejtpërdrejt Jonidën për raportin mes tyre.
“Të qenit në skenë dhe personazh publik prej më shumë se 30 vitesh tashmë të bën që herë pas here të kesh edhe një lloj qasjeje ndryshe për faktin që, sigurisht, jeta profesionale është tjetër dhe ajo personale tjetër. Shumë herë unë kam dashur ta ndaj anën personale, duke qenë një njeri që kam shpirt, kam mish, kam gjak dhe dua të jem e vërtetë. Nuk dua të jem asnjëherë… të fshihem pas një maske.
Të vërteta? [Fotot] Nuk kemi pse të mohojmë asnjë gjë. Por nëse kemi vendosur që këtë historinë tonë ta ruajmë me fanatizëm, është për faktin e thjeshtë që e duam fort dhe kemi arritur në një pikë të moshës sonë ku nuk mund më të luajmë ‘e lagu, s’e lagu’, por të shikojmë rrugëtimin që kemi vendosur të kemi. Jetës nuk i dihet kurrë, unë jam personi i fundit që mund ta them këtë, me çfarë kam kaluar. Megjithatë, gjërat e bukura kam vendosur t’i ruaj me fanatizëm dhe nuk mohoj asgjë. Është një histori shumë e bukur, por kaq mjafton për të gjithë ata që kuriozohen dhe që duan të marrin një po apo një jo, që nuk e di se ku i çon kjo po-ja apo jo-ja jonë, se është evidente,” u shpreh Jonida.
Pra, Jonida e bëri të qartë se mes tyre ka diçka që ajo e konsideron të bukur dhe që ka zgjedhur ta mbrojë nga ekspozimi i tepërt.
E pyetur nga Stenaldo nëse bëhet fjalë vërtet për një histori të bukur, Jonida foli edhe për vështirësitë që kanë shoqëruar marrëdhënien e tyre dhe pranoi se nuk ka qenë gjithçka e thjeshtë.
“Po, ka pasur edhe ajo uljet dhe ngritjet e saj dhe mendoj se, nëse jemi këtu ku jemi, jemi për një fakt që na është dashur edhe të distancohemi. Dhe mendoj që është shumë e bukur kur njerëzit arrijnë të përjetojnë situata nga më të ndryshmet. Nuk është jeta fushë me lule, as historitë e dashurisë nuk janë kurrsesi fushë me lule. Madje, sa më shumë problematika të kenë, aq më e bukur është.”
Jonida tregoi gjithashtu një prej parimeve që ka për marrëdhëniet dhe dashurinë, duke lënë të kuptohet se, pavarësisht asaj që mund të ndodhë gjatë rrugës, lidhja mes dy njerëzve që duhen nuk zhduket thjesht nga një distancë.
“Unë kam një parim: njerëzit që duhen nuk ndahen kurrë. Kështu që, çfarëdo lloj gjëje të ndodhë, ata do të jenë aty pranë njëri-tjetrit. Nëse nuk ka pastaj [dashuri], rrugëton secili në jetën e vet.”
Më pas, Stenaldo e pyeti nëse ka diçka që Jonidës i është dukur sikur e ka kuptuar vetëm përmes kësaj marrëdhënieje. Përgjigjja e saj lidhej me një tjetër pikë të përbashkët mes tyre: të dy janë prindër dhe të divorcuar, ndërsa marrëdhënia në distancë ka sjellë edhe momente afërsie, edhe periudha largësie.
“Të qenit në një stad, në një status. Të dy jemi prindër dhe të divorcuar. Pastaj marrëdhënia në distancë, sigurisht, që ka krijuar herë pas here një ribashkim shumë të bukur, por herë pas here edhe një lloj distance, një lloj mosbesimi.
Ajo çfarë është më e rëndësishme është që Alessio herë pas here më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë. Gëzoj dhe kemi dëshira dhe pasione të njëjta për të parë botën, për të dëgjuar muzikë, për t’u njohur me artin, për të folur gjerë e gjatë dhe ka një qetësi marramendëse, ndryshe nga ‘dhia’ që ke ti përballë këtu.”/mxh
