Gigi Hadid tërhoqi të gjitha vëmendjet në Vogue World Milano, por këtë herë nuk ishte vetëm pamja e saj ajo që bëri bujë. Supermodelja u shfaq në hapje të eventit me një krijim të Valentino-s, pas të cilit fshihet një punë kolosale artizanale: plot 1680 orë punë me dorë.
Vogue World u zhvillua mbrëmjen e 22 shtator në ambientet historike të Galleria Vittorio Emanuele II në Milano, ndërsa këtë vit eventi i kushtoi një vëmendje të veçantë mjeshtërisë artizanale dhe punës së dorës në modë.
Gigi Hadid ishte ajo që hapi eventin, duke parakaluar me një fustan Valentino Haute Couture të dizajnuar nga Alessandro Michele. Krijimi nuk ishte realizuar posaçërisht për këtë mbrëmje. Fustani është pjesë e koleksionit Pranverë/Verë 2025 Haute Couture të Valentino-s, koleksioni i parë couture i Michele si drejtor kreativ i shtëpisë italiane, i prezantuar në Paris në janar 2025.
Por ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë veshje ishte procesi i krijimit.
Për realizimin e saj janë përdorur jorganë të ricikluar venecianë, pjesët e të cilëve janë bashkuar njëra pas tjetrës për të krijuar efektin e veçantë patchwork. Modelet e ndryshme të pëlhurave i japin fustanit një pamje të pazakontë, ndërsa mëngët voluminoze në formë balone dhe fundi i gjerë e bëjnë siluetën edhe më dramatike.
Look-u plotësohet nga një jakë dhe mansheta prej organze ngjyrë fildishi, të punuara me shtresa të shumta frudash. Dizajni përmban gjithashtu referenca ndaj botës fantastike të “Alice in Wonderland” të Lewis Carroll.
Dhe këtu vjen detaji më interesant: për këtë krijim janë dashur plot 1680 orë punë artizanale.
Nëse e kthejmë thjesht në ditë, bëhet fjalë për rreth 70 ditë punë pa ndërprerje. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se një person i vetëm ka punuar 70 ditë rresht mbi fustan, por se kjo është koha totale e punës së dorës që është dashur për përfundimin e tij.
Fotot e Gigi-t me fustanin u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe, krahas komplimenteve për punimin, nuk munguan as komentet me humor.
Disa përdorues në X nisën të pyesnin me shaka se çfarë kishte kërkuar kaq shumë kohë për t’u realizuar, ndërsa një koment shkoi deri aty sa përmendi stilistin turk Cemil Ipekçi, duke shkruar me humor se ai “do ta kishte qepur për një ditë”./mxh
