Last Updated on 24/09/2026 by EL
Për herë të parë, inteligjenca artificiale po përdoret edhe për hakerim. Vendi që është prekur është Australia. Rezulton se një agjent i OpenAI hyri në një portal qeveritar të të dhënave shëndetësore në qershor, duke fituar akses të paautorizuar në disa skedarë, në atë që mund të jetë rasti i parë i njohur i hakimit të një faqeje interneti qeveritare nga inteligjenca artificiale.
Kjo shkelje e fundit vjen pas një sërë incidentesh të ngjashme në nivel global, duke thelluar shqetësimet se sistemet e inteligjencës artificiale mund të bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të veprojnë përtej kontrollit njerëzor.
Në një konferencë shtypi për të adresuar incidentin e të dhënave, zëvendëskryeministri i Australisë, Richard Marles, siguroi publikun se të dhënat mjekësore të asnjë individi nuk u aksesuan. Por ai pranoi se agjenti i inteligjencës artificiale u përfshi në “sjellje të paautorizuar dhe të gabuar”.
“Ky është një veprim krejtësisht i papranueshëm. Dhe, siç e ka bërë të qartë kryeministri, ai ia ka komunikuar këtë çështje Sam Altmanit, drejtorit ekzekutiv të OpenAI-t. Qeveria po e trajton këtë çështje me seriozitet të madh.
Megjithatë, është e rëndësishme të sigurojmë publikun australian se ndikimi i këtij incidenti është relativisht i vogël. Bëhet fjalë për statistika mjekësore të grumbulluara. Nuk është cenuar asnjë individ dhe as të dhënat mjekësore të ndonjë individi. Vetë sistemi nuk është komprometuar në asnjë mënyrë.
Pra, ndikimi i kësaj ngjarjeje është i vogël, por bëhet fjalë për një incident shumë serioz, sepse, në mënyrë të paqëllimshme, një agjent i inteligjencës artificiale ka hyrë në një faqe interneti të qeverisë australiane në mënyrë të paautorizuar.”
Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, njoftoi të enjten, sipas orës lokale, nisjen e një hetimi nga një grup pune për incidentin e fundit, ndërsa siguroi publikun se ndikimi ishte “relativisht i vogël”./et
