Last Updated on 24/09/2026 by EL
Nga iridologjia te ushtrimet që premtojnë heqjen e syzeve, specialistët grekë ngrenë alarmin për metodat pa prova shkencore që po përhapen online dhe paralajmërojnë se në disa raste pasojat mund të jenë të rënda, deri në dëmtime të përhershme të shikimit.
Shoqata Helenike e Oftalmologjisë (HOS) u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e trajtimeve të reklamuara si “mrekulli” apo “revolucionare” për sytë, duke theksuar se praktikat e paprovuara nuk janë thjesht joefektive. Ato mund të çojnë në diagnoza të gabuara, të vonojnë trajtimin e sëmundjeve reale dhe, në raste të caktuara, të shkaktojnë komplikacione serioze.
Një prej metodave që vihet në pikëpyetje është iridologjia, e cila pretendon se sëmundjet e organeve të ndryshme mund të zbulohen përmes pamjes së irisit. Sipas HOS, studimet shkencore të kontrolluara kanë treguar se kjo metodë nuk ka saktësi diagnostikuese më të madhe se ajo që do të pritej rastësisht.
Rreziku është që një “diagnozë” e rreme të shkaktojë frikë të panevojshme dhe të çojë në trajtime të gabuara. Në të kundërt, një rezultat i rremë qetësues mund të vonojë zbulimin e një sëmundjeje serioze.
Paralajmërimi shtrihet edhe te programet që premtojnë eliminimin e syzeve përmes “ushtrimeve të syve”. Sipas specialistëve, nuk ka prova shkencore që këto ushtrime mund të korrigjojnë miopinë, presbiopinë apo astigmatizmin, pasi këto probleme lidhen me karakteristikat anatomike dhe optike të syrit.
Ndërkohë, ushtrime të caktuara ortoptike përdoren realisht në trajtimin e disa çrregullimeve të shikimit binocular, por ato rekomandohen vetëm pas një diagnoze dhe vlerësimi mjekësor.
Në fokus janë edhe produktet dhe trajtimet e reklamuara në internet si “rigjeneruese”, përfshirë injeksione apo preparate që premtojnë të “kthejnë pas” plakjen e syrit. HOS këshillon që qytetarët të mos përdorin produkte për sytë pa vlerësim paraprak mjekësor dhe, kur kërkohet, pa recetë.
Edhe disa trajtime që kanë efekt të provuar nuk janë të përshtatshme për çdo pacient. Disa pika sysh, për shembull, mund të përmirësojnë përkohësisht shikimin nga afër te personat me presbiopi, por mund të shkaktojnë efekte anësore serioze te pacientë të caktuar dhe për këtë arsye kërkohet ekzaminim okulistik përpara përdorimit.
Një tjetër procedurë që kërkon kujdes është ndryshimi i përhershëm i ngjyrës së syve. Sipas HOS, ndërhyrje të tilla nuk duhen konsideruar thjesht kozmetike, pasi kryhen mbi sy të shëndetshëm. Disa teknika, si vendosja e implanteve kozmetike të irisit brenda syrit, janë lidhur me komplikacione serioze dhe të pakthyeshme.
Oftalmologët sjellin në vëmendje edhe një fakt që shpesh neglizhohet: shikimi i mirë nuk garanton domosdoshmërisht shëndetin e syve. Një matje e thjeshtë e mprehtësisë së shikimit nuk është e njëjtë me një ekzaminim të plotë okulistik.
Glaukoma, degjenerimi makular i lidhur me moshën, retinopatia diabetike, shkëputja e retinës apo edhe tumoret e syrit mund të jenë të pranishme edhe te persona që shohin mirë dhe mund të mos zbulohen pa një kontroll të plotë.
Mesazhi i specialistëve grekë është i qartë: çdo premtim për një “kurë mrekullie”, shërim të shpejtë apo eliminim të syzeve duhet parë me shumë skepticizëm kur nuk mbështetet nga prova të besueshme shkencore. Për shëndetin e syve, burimi i informacionit duhet të jetë okulisti dhe literatura shkencore, jo reklamat, rrjetet sociale apo faqet që promovojnë trajtime të paprovuara./et
