sh-deputeti i Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, i cili ishte pjesë e listave të 2017-ës dhe theu djegien e mandateve në vitin 2019, tashmë i rilindur si 99-ç, ka filluar të mbledhë firma për llogari të Erion Veliajt.
Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës i thanë CNA-së se, Halit Valteri me porosi të Erion Veliajt dhe njerëzve të tij, ka filluar të mbledhë firmat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak që kryetari i Bashkisë të marrë pjesë në mbledhjet e këtij Këshilli.
Në fakt, kjo është një iniciativë që kuptohet sërish, më shumë sesa veprim ligjor, është një tjetër lëvizje propagande, lëvizje mashtruese për shkakun e thjeshtë se avokati i Veliajt mjafton t’i bëjë një shkresë prokurorëve që t’u kërkojë që ai të paraqitet në mbledhje të Këshillit ose vetë kryetari i i Bashkisë, Erion Veliaj, mund t’u kërkojë prokurorëve t’i japin leje të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Në këtë rast nuk po ndodh kështu, por si një sharlatan politik, si një njeri që ka kapërcyer ylberin, që nga “bodigard” i Lulit dikur, tani është servil i Erion Veliajt.
Mbledhja e firmave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë vlerë ligjore. Ajo vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që e la në qeli kryebashkiakun e Tiranës dhe duket si një lëvizje e pashpresë, të cilën ia kanë lënë në dorë një njeriu si Halit Valteri. Mjafton të thuash se kush po i mbledh firmat për të kuptuar se ku do katandiset kjo nismë.
Por ky nuk është i vetmi veprim, kohët e fundit kanë ndodhur disa të tilla. Që nga avokatët që kërkonin takim me urgjencë në 10 shtator, ndërkohë që jemi në datën 25 shtator dhe ende nuk ka asnjë njoftim prej tyre çfarë kanë bërë me Strasburgun, e takuan Erionin apo s’e takuan pas shtyrjes së datës nga Drejtoria e Burgjeve; nga lëvizjet e tjera të bëra nga Dhoma e Avokatisë ku me “dhunë”, Maks Haxhia detyron avokatët mos të marrin pjesë në seancat gjyqësore kundër vullnetit të tyre, bojkoti vetëm në GJKKO, atje ku ka interesa Maks Haxhia si avokat i krimit dhe korrupsionit dhe për interesat e tij merr “peng” edhe sistemin gjyqësor.
Lëvizja e Halit Valterit mund të quhet si një akt haxhiqamilist në vitin 2026 nga individë që ende mendojnë se Erion Veliaj është një politikan kalibri që do të jetë e ardhmja e Partisë Socialiste.
Ndoshta kështu e shikojnë disa, por në fakt Erion Veliaj është një i pandehur me 13 akuza të rënda, për të cilin po merret “peng” drejtësia, por që sado që të vonojë, drejtësia nuk do ta harrojë dhe mbështetësit e tij nuk është se do të zhgënjehen, por më në fund do të kenë dhe dokumentin që do të tregojë se sa vlen kryetari i tyre i bashkisë, i cili është kapur të paktën me 9 herë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim i produkteve të veprës penale, fshehje pasurie si dhe futjen e sendeve të ndaluara në qeli.
Ndërkohë që skandalet në Shqipëri plasin ditë pas dite dhe shqiptarët po përballen me skandalin e SHISH, një nga çështjet më të rënda që ka ndodhur në këto 35 vite të Shqipërisë në tranzicion dhe demokraci, Halit Valteri shkon dhe mbledh firma për Erion Veliajn që ta shikojmë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Ndoshta prokurorët kur t’ju shkojë kërkesa do të ishte mirë t’i jepnin leje Erion Veliajt, se pastaj qytetarët padyshim do t’i rezerveronin një pritje “spektakolare” siç i takon zdromsit të Tiranës./k.m
