Nga Orest Shurdha
Berisha ka thirrur protestë kombëtare për të shtunën. Protesta e radhës, pas një mijë të tjerash. Por këtë herë ka një problem: në rrugë kanë dalë studentët, të cilët nuk duan as Ramën, as Berishën. Dhe ky është një problem për politikën shqiptare: qytetarët që nuk pranojnë të zgjedhin mes dy kryetarëve.
Studentët thërrasin: «Rama në burg, Berisha në burg!»
Berisha e dëgjon me kënaqësi gjysmën e parë. Të dytën e quan të paguar nga armiqtë e tij politikë. Pra, kur i njëjti zë kërkon burgun e Ramës, flet populli; kur kërkon burgun e Berishës, flet portofoli.
Po si shpjegohet kjo mrekulli? Janë të paguar nga mesi e poshtë, ndërsa nga mesi e lart janë protestues të ndershëm?
Por përgjegjësia e Berishës nuk mbaron te kjo barcaletë. Ai duhet të tregojë nëse e respekton vërtet pavarësinë e protestës studentore, apo e sheh atë si një turmë që mund t’i shtohet protestës së PD-së dhe t’i japë asaj legjitimitet. Nuk mund të kërkosh që studentët të dalin në rrugë, t’i përvetësosh kur të leverdisin dhe t’i shpallësh të blerë kur të kundërshtojnë ty.
Të shtunën do të shihet nëse studentët do t’i bashkohen protestës së Berishës. Por edhe nëse bashkohen, kjo nuk i bën automatikisht pronë të PD-së. Një qytetar mund të kërkojë largimin e Ramës pa i dhënë çek të bardhë Berishës. Mund të kundërshtojë qeverinë pa u rreshtuar pas opozitës.
Berisha ka të drejtë të organizojë protestën e tij. Nuk ka të drejtë ta paraqesë çdo zemërim qytetar si mbështetje për veten dhe çdo kritikë ndaj tij si komplot të paguar. Nëse kërkon të përfaqësojë pakënaqësinë e shqiptarëve, duhet të pranojë edhe pakënaqësinë e tyre ndaj vetë opozitës.
Përndryshe, protesta kombëtare rrezikon të bëhet një tjetër skenë ku Berisha mban fjalimin, PD-ja duartroket dhe studentët shërbejnë si dekor. Studentët nuk kanë pse të zgjedhin mes Ramës dhe Berishës. Dhe Berisha duhet të provojë se mund të dëgjojë një protestë pa pretenduar se i përket atij.
