Shtetet e Bashkuara kanë propozuar që Emiratet e Bashkuara Arabe të organizojnë një takim trepalësh me Ukrainën dhe Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për ti dhënë fund luftës.
Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili tha se Kievi është në pritje të një date nga Uashingtoni.
Në të njëjtën kohë, Ukraina po kërkon 27 miliardë dollarë shtesë nga partnerët ndërkombëtarë për financimin e mbrojtjes dhe deficitit buxhetor.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të përdoret për blerjen e dronëve dhe raketave.
“Për takimin trepalësh, pala amerikane ka propozuar përgatitjen dhe zhvillimin e një takimi në nivel teknik, në formatin trepalësh. Jemi në pritje të një propozimi nga Shtetet e Bashkuara për datën, ndërsa pala amerikane ka sugjeruar Emiratet si një vend të mundshëm. Sa i përket 27 miliardë dollarëve, pjesa kryesore e këtyre fondeve nevojitet për dronët, raketat dhe mbështetjen e ushtarëve. Nëse nuk i porosisim dhe paguajmë dronët në tetor dhe nëntor, do të përballemi me sfida serioze në janar dhe shkurt”, tha Zelensky.
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina kërkon një armëpushim reciprok në Detin e Zi, për te garantuar transportin e mallrave dhe produkteve bujqësore./mxh
